Mullinxhinjtë janë kundër shtrenjtimit të bukës

Çmimi i bukës arriti në 60 centë në disa furra të vendit gjatë ditës së djeshme. Por, këtë shtrenjtim po e konsiderojnë të padrejtë dhe të paarsyeshëm në Shoqatën e Mullistëve.

I pari i mullistëve, Bashkim Zejnullahu, i ka thënë Gazetës Express se është e palogjikshme të ngritet çmimi i bukës kur çmimet janë në rënie.

Sipas Zejnullahut, gruri e mielli janë shitur më lirë gjatë kësaj jave dhe së pritet të lirohen ende gjatë ditëve në vazhdim.

‘Është e padrejtë, është jologjike edhe e paarsyeshme. Nuk ka mungesa, ka sasi të mjaftueshme. Presim për një javë të fillojmë me sezonën e grurit. Çmimet janë në ramje, jo në ngritje. Lëvizjet e djeshme të çmimeve i shoh shumë të paarsyeshme’, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka mohuar të ketë mungesës të grurit në vend.

‘Herët është për të folur për grurin e ri, por ka mjaftueshëm grurë të vjetër. E dini se në muajin shkurt kam thënë se kemi për dy muaj rezerva dhe erdhëm në sezon dhe jemi shumë stabil. Në regjion jemi me çmimin më të ulët të miellit’.

Tutje, Zejnullahu ka thënë se s’mund të përzihen në çmimet që vendosin bizneset individuale, por se për ta është i paarsyeshëm një vendim i tillë.

‘Në biznese individuale s’mund të përzihemi, është e drejtë e çdokujt ta shes mallin e vetë në çfarëdo forme, por është e paarsyshme që sot të ngritet çmimi i bukës, shumë e paarsyeshme madje’, ka deklaruar Zejnullahu.