Mungesa e energjisë elektrike: Faji nuk qëndron te Qeveria, por te rrjeti i KEDS-it
Dëgjova në lajmet e RTK-së duke akuzuar qeverinë për reduktimin e energjisë elektrike në disa rajone ose komuna të Kosovës.
Kjo është mosnjohje e realitetit energjetik.
Megjithatë, le të kalojmë te problemi i vërtetë.
Kur shohim ato shtylla të lakuara, të cilat janë në prag të rënies dhe përbëjnë rrezik për qytetarët, fëmijët dhe bagëtinë, lind pyetja: sa të gatshme janë ato në këtë gjendje për të transmetuar energjinë elektrike pa defekte të përditshme?
Faji qëndron te mosinvestimet e KEDS-it, i cili ka premtuar dhe është i obliguar me kontratë të sigurojë një rrjet të sigurt për transmetimin e energjisë tek konsumatorët.
Këto investime duhet të kryhen gjatë sezonit veror dhe jo siç po thonë përfaqësuesit e KEDS-it ekipet e tyre po punojnë 24 orë për sanimin e situatës.
Në këtë periudhë, është e pamundur të sanosh situata dhe vetëm sa rrezikohen punëtorët e mjerë, që mund t’u kushtojë edhe me jetë.
Pra, faji është vetëm te KEDS-i për shkak të rrjetave të dobëta.
Të gjithë në Kosovë e dinë se qeveria ka subvencionuar konsumatorët për shpenzimin e energjisë, si dhe për blerjen e aparateve EKO, të njohura si klima për ngrohje gjatë dimrit.
KEDS-i e di mirë se këto aparate do të sjellin ngarkesa shtesë, prandaj investimi në forcimin e rrjetit ka qenë i domosdoshëm.
Megjithatë, KEDS-i e di se ky popull është i durueshëm, dhe partitë politike, përfshirë opozitën, nuk po kërkojnë zgjidhje aty ku duhet, por po përpiqen të rrëzojnë qeverinë, kurse dihet se kush e ka nënshkruar kontratën për privatizimin e KEDS-it.
Pra, të nderuar, faji është te:
- Rrjetat e dobëta
- Shtyllat në tokë
- Trafot me kapacitet të dobët për furnizim të bollshëm të konsumatorëve me energji
- Moskryerja e punëve në rrjet gjatë sezonit të verës
- Mos sigurimi i energjisë gjatë sezonit veror për shkak të mungesës së energjisë gjatë dimrit
- Pra, faji është vetëm te KEDS-i, dhe ne e dimë se ka ngarkesa, por mundësitë për të evituar reduktimin kanë qenë dhe janë të pranishme. Kjo është një neglizhencë dhe papërgjegjshmëri e KEDS-it.
……………………….
(Autori ka punuar 42 vjet në Elektroekonominë e dikurshme, pastaj KEK, kurse sot KEDS.)