Murati: S`kam shpresje për zgjidhje, Kosova është në një krizë të thellë kushtetuese

Kosova po përballet me një krizë të thellë politike dhe kushtetuese, ndërsa dështimi për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit mund ta zgjasë edhe më tej bllokadën institucionale.

Kështu vlerëson ligjëruesi i shkencave politike, Valon Murati, i cili në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk është optimist për zgjidhjen e situatës në vazhdimin e seancës konstituive.

Sipas Muratit, Kosova tash e disa muaj ndodhet në krizë politike, ndërsa situata aktuale, sipas tij, ka marrë edhe përmasa kushtetuese.

Ai ka thënë se zhvillimet e fundit e kanë bërë skeptik edhe për mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje në vazhdimin e seancës.

I pyetur se cilat janë arsyet që kanë çuar në mungesën e një zgjidhjeje për nënkryetarët e Kuvendit dhe nëse përgjegjësia bie te deputetët opozitarë apo te kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe synimi për zgjedhje të reja, Murati ka thënë se në këtë situatë “çdo gjë është në lojë”.

Ai ka akuzuar Kurtin për atë që e cilësoi si “shantazh të plotë politik” ndaj partive, institucioneve dhe qytetarëve.

Sipas tij, edhe në rast se do të arrihej një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe krijimin e institucioneve, aktualisht nuk ekziston një dakordim i tillë.

Murati ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj situate është i dëmshëm për vendin, jo vetëm në aspektin politik, por edhe ekonomik dhe institucional.

“Por kjo, natyrisht, është shumë e dëmshme për vendin, për institucionet, për jetën tonë politike, ekonomike, po na prek në të gjitha drejtimet. E mbi të gjitha, ne jemi tash e dy vite me situata të tilla të paqëndrueshme, tash së fundi thashë edhe me një situatë jo kushtetuese, ku institucionet i kemi gati që jo legjitime në planin kushtetues, në një kohë kur ne presim vendimin e 16 shtatorit, pra një verdikt me shumë rëndësi për Kosovën, çfarëdo që të jetë ai”, ka thënë ndër të tjera Murati për Ekonomia Online.