Mustafa dhe Osmani shkëmbejnë akuza të rënda, s`lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express u ka dhënë përgjigje të gjitha kritikave të Vjosa Osmanit, duke theksuar se s’është përdhosur vullneti i 6 tetorit por vetëm i atyre që morën besimin e LDK-së dhe punuan për parti të tjera, të cilat janë dëshmuar se janë kundër frymës rugoviane.
Ish-kryeministri ka thënë se Vjosa Osmani gjatë fushatës ka kopjuar Albin Kurtin dhe ia ka humbur LDK-së zgjedhjet, meqë në hyrje të fushatës zgjedhore, LDK-ja ka qenë 6 % para Lëvizjes Vetëvendosje.
Mustafa thotë se duke parë një gjë të tillë, qytetarët kishin vendosur të përkrahin origjinalin e një politike të tillë, Albin Kurtin dhe jo Vjosa Osmanin si kopje.
“LDK-ja e ka kandiduar znj. Osmani për kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV-ja e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK-ja të bëhet Vetëvendosje”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Ai ka pasur një përgjigje edhe sa i përket thirrjes së Osmanit se do t’i kthehet popullit dhe se qytetarët do të rikthehen fuqishëm për ta shkoqur shtetin nga strukturat që po e mbajnë të uzurpuar.
Sipas të parit të LDK-së, mentaliteti i revolucionit ishte bërë shkak për ndezjen e Shqipërisë gjatë ’90-ve dhe thotë se nuk duhet lejuar që të kallet Kosova nga revolucionarët e rinj që propagandojnë, nxitin përçarje e thirren në emër të popullit.
“Rugova ka kultivuar proceset demokratike. Jo revolucionet demokratike. Mentaliteti i revolucionit demokratik e kalli Shqipërinë në vitin 1997. Nuk duhet të lejojmë të kallet Kosova nga neorevolucionarët tanë të bashkuar. Këta, përveç propagandës dhe shkatërrimeve, përçarjes dhe thirrjes në popullin dhe për popullin, asgjë të mirë nuk i sollën këtij vendi deri më sot”, ka shtuar Mustafa.
Ish-kreu i ekzekutivit thotë se kjo tregon se me kë është Vjosa Osmani dhe pse flet kundër LDK-së dhe kryeministrit Hoti.
“Z. Hoti po tregohet si kryeministër i dijshëm dhe i ndërgjegjshëm për vendin, me sjellje normale dhe me vendime koherente. Po sillet i përgjegjshëm ndaj LDK-së, që ia ka dhënë besimin, ndaj ligjit dhe ndaj qytetarëve. Ai po e ushtron pozitën që i takon me Kushtetutë. Znj. Osmani po e ushtron pozitën e kryetares së Kuvendit, që nuk i takon, pas prishjes së koalicionit ndërmjet LDK-së dhe VV-së. Ajo po e ushtron pozitën që i takon VV-së me Kushtetutë, prandaj kjo flet se me kë është ajo dhe pse shërbehet me këtë diskurs kundër Hotit dhe LDK-së”, ka përfunduar kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
Në zgjedhjet e 6 tetorit Lidhja Demokratike e Kosovës ishte renditur e dyta me rreth 1 % më pak vota se Lëvizja Vetëvendosje. Pavarësisht përpjekjes për bashkëpunim, koalicioni LDK-VV s’kishte zgjatur as 100 ditë, ndërkohë qysh pas prishjes së koalicionit dhe krijimit të Qeverisë Hoti, Vjosa Osmani s’ka reshtur së kritikuari partinë. Si pasojë e qëndrimeve të saj, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e kishte shkarkuar me shumicë votash nga pozita e nënkryetares, derisa tashmë Osmani po e mendon edhe nisjen e një iniciative të re politike.
Kundërpërgjigjet Vjosa Osmani
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryetare së Kuvendit, e cila për liderin e LDK’së thotë se është një njeri i njohur për mashtrim, ndryshim qëndrimesh e tregti me parim.
“Gjithçka mund të gjesh tek Isa Mustafa si tipar: mashtrimin, devijimin, ndryshimin e qëndrimeve sa hap e mbyllë sytë, tregtinë me parime etj, por nuk mund të gjesh asnjë pikë njerëzillëku”, ka shkruar Osmani në profilin e saj.
Ish-nënkryetarja e LDK’së ka thënë se i ka besuar Mustafës në vitin 2019, kur sipas saj, ai kishte thënë se bashkë do t’i largojnë “bandat mafioze nga pushteti”
Tutje ajo ka thënë se Mustafa është bërë shërbetor i ‘bandave mafioze’.
“Lëre që e braktisi këtë rrugë, por tani po dëshmohet si shërbëtori më i denjë i po këtyre kastave që vet i cilësonte “banda mafioze”. Madje si recidivist…E tash, edhe duke tentuar të fitojë pikë te këto “banda mafioze”, duke më sulmuar mua”, ka theksuar kryekuvendarja.
Osmani thotë se mund të ketë gabuar gjatë rrugës, derisa thotë se gabimi më i madh është që i ka besuar Isa Mustafës.
“Unë mund të kem bërë gabime në rrugën time politike. por asnjëherë me qëllimin që ta shkelë interesin qytetarë. Megjithatë, gabimi më i madh në jetën time është që i besova Isa Mustafës. Madje këtë gabim e bëra për herë të dytë, me shpresën se ai nuk do të kthehej përsëri tek idhujt e tij politik në PDK & Co”, ka thënë Osmani.
“Ai, jo vetëm që e keqpërdori këtë besim por tani vazhdon me sulme banale e të pavërteta kundër meje pikërisht për ta arsyetuar koalicionin me PDK-në për të cilin ai po punon ditë e natë.
Humbësi i shumëfishtë i zgjedhjeve tani më paska akuzuar mua për humbje të zgjedhjeve. Por, ai e di shumë mirë se mua më ofruan të kandidojë për Kryeministre për shkak se ai dhe të tjerët (me një përjashtim) NUK GUXUAN të dalin e të përballen në zgjedhje me Kurtin”, ka shtuar tutje.
“Unë, lëre që e pata guximin, por i solla LDK-së rezultatin më të mirë në 15 vitet e fundit. Recidivisti, në peak-un e fushatës zgjedhore, dilte në intervista duke thënë që nuk është penduar që e ka zgjedhur Thaçin President, duke rrënuar çdo kala, të cilën unë me kolegë e ndërtonim në çdo lagje e çdo fshat duke rikthyer besimin për LDK-në të shkelur rrënjësisht nga Mustafa & Co.
Por, meqë sipas tyre unë ua paskam humbur zgjedhjet (me dallim 1%), le të urdhërojnë tash e të dalin para qytetarëve pa mua (meqë më përjashtuan) e le të fitojnë! Çka po i ndalë tash?! Le të dalin e le të kërkojnë votë për atë që vërtetë përfaqësojnë: patericë e kapësve të shtetit!
Për fund, i kërkoj falje nga thellësia e zemrës të gjithë qytetarëve të Kosovës, të cilëve ju kam kërkuar votën me besimin e thellë se LDK-ja e Mustafës nuk do të shndërrohet në mashtruese recidiviste!”, ka përfunduar Osmani në reagimin e saj.

