Mustafa i kundërpërgjigjet Bajqinovcit me takimin Rugova-Shirak: Moti është Kosova shtet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i cili tha dje se kryeministri Albin Kurti është pritur në Francë nga presidenti Emmanuel Macron si askush tjetër.

Mustafa ka publikuar një video nga takimi i presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova me ish-presidentin e Francës, Zhak Shirak, më 1998, raporton Express.

“Bone tag dikush atë deputetin e LVV që tha se Presidenti i Francës se ka pritë kërkon “bash qeshtu.” Qe pritja “bash qeshtu”, bile para 23 vjetve. Moti është Kosova, z. deputet, s’ka lind në 2021”, ka shkruar Mustafa.

Bajqinovci duke e komentuar vizitën e Kurtit në Francë, ka thënë mbrëmë se ai është pritur në pallatin Élysée si askush tjetër nga Kosova.

“Për asnjë kryeministër tjetër Franca nuk kishte organizuar konferencë për media”, është shprehur Bajqinovci.