Mustafa nuk ka frikë për kufijtë, askush nuk mund t`i ndryshojë pa dëshirën tonë

Isa Mustafa (LDK) e përjashton mundësinë e ndryshimit të kufijve nga jashtë, nëse Kosova nuk pajtohet. Sipas tij, nëse hapet tema e kufijve, i bie që po hapet tema e pavarësisë së Kosovës.

“Duhet të dialogojmë që, në këta kufij dhe me këtë territor që e kemi, të na njoh Serbia, të anëtarësohemi në OKB, të na njohin edhe pesë vende të BE-së dhe të anëtarësohemi në NATO. Ky është interes i shtetit tonë i drejtpërdrejtë; është edhe interes i ndërmjetësuesit nga SHBA dhe atyre nga BE, sepse me këtë sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të botës dhe hapet perspektivë e re e zhvillimit ekonomik”

Shkrimi i plotë:

Askush nuk mund ti ndryshojë kufijtë e Kosovë, në qoftë se ne i besojmë vetëvetes për të mos i ndryshuar. Kjo është në dorën dhe në përgjegjësinë tonë.

Nuk është Grenelli as Borelli e as Lajçaku ata që ndryshojnë kufij dhe shkëmbejnë territore. Prandaj është e padenjë që mosguximin tonë për t’iu përveshur dialogut ta arsyetojme me rrezikun e “kasapimit” të Kosovës.

Duhet të besojmë në SHBA-të dhe në BE dhe të besojmë në Kosovën. Kjo është e vetmja qasje për dialogun.

Popullizmi dhe lufta e shtrigave nuk na qon askund. Vetëm vendet komuniste kanë mbijetuar deri në fundin e tyre, duke prodhuar kundershtarë dhe armiqë. Kur iu kanë sosur kundërshtarët, janë sosur edhe ato vet.

Kosova e ka shpallur pavarësinë në këtë territor dhe në këta kufij; kështu thotë edhe Deklarata e Pavarësisë. Prandaj s’kemi arsye ta hapim këtë temë, sepse e hapim temën e pavarësisë së shtetit tonë, që është mbyllur me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Por, po ashtu, nuk kemi arsye të frikësohemi nga dialogu. Duhet të dialogojmë që, në këta kufij dhe me këtë territor që e kemi, të na njoh Serbia, të anëtarësohemi në OKB, të na njohin edhe pesë vende të BE-së dhe të anëtarësohemi në NATO.

Ky është interes i shtetit tonë i drejtpërdrejtë; është edhe interes i ndërmjetësuesit nga SHBA dhe atyre nga BE, sepse me këtë sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të botës dhe hapet perspektivë e re e zhvillimit ekonomik, përfundon Mustafa./mediafokus.info