“Na jemi ndryshe, ata s’kanë pikë ynyre”

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…

Nezire Sejdiu (06.10.1915) nga Zhegra, është njëra nga këta personazhe që kanë shkelur shekullin.

Nëna Nezire nga shëndeti ishte mirë dhe përkujdesen familjare e kishte shumë të mirë. Me kujtesë ishte shumë mirë. Në çdo pyetje përgjigjej pa u mëdyshur.

Ende i njihte monedhat dhe shumë detaje të tjera përkundër jetës së vështirë që kishte kalue.

“Punët që 40 vite i kemi pasë mirë se përpara u kanë shumë shtirë. I kam rritë fminë me gazep, burrin në burg 13 vjet m’u ka dashtë vetë m’u kujdes për ta. Vetë shpinë, vetë gjanë, vetë fushën, kejt vetë.

Me burrin e kam pasë jetën e rahatshme, faleminerit pi Allahit s’kam pas kurrë probleme me ta. Jemi razitë për gjithshka, qaq sa e kam pas”.

Më tutje Ajo shton: “Secili pe bon kohën e vet, sa njeri u shkue e sa njeri u ardh që unë i maj n’men, menve zarar…sa shum u shtue kjo dynja. Përpara u kanë koha ma e shtirë, ka pas ma shumë heka e ma shumë skame, po ka pas ma shumë ner e dashni. I kam rritë fmijën me heka, po faleminer, tash jemi mirë”.

Ndalet për pak dhe vazhdon: “Nuk u kanë veç për mue jeta e shtirë, u kanë për krejt, se skamja u kanë gati n’kejt familjet, s’ka pas si tash kerre, televizora, maqina të teshav e t’enve. Tash asht shumë ma leht, hekat janë ma t’vogla bile edhe fukarallak tash s’ka”.

Në pyetjen time për luftat që i ka përjetuar, lokja tha:

“Nuk ka luft të mirë, kejt luftat që i maj n’men jana kanë të shtira, po kjo e fundit u kanë ma e shtira, 3 muj nav ka dashtë me nejtë n’mal. Kta veç shkavi din m’e ba. Tana na i kemi pas edhe kojshi, ktu n’Zheger, me pas dashtë na kishin pshtue edhe s’na kish gjetë sen. Na mu kan ata i kishum rujtë, po na jemi ndryshe, lokes,  ata s’kanë pikë ynyre”. (Zhegër, 02 janar 2018)

/Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.