Naile Canolli Jahiri, gruaja martire që lindi ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe u vra në luftën e Kosovës (1912–1999)

Naile Canolli Jahiri, e njohur nga të gjithë si Gjyshja Nole, ishte një grua e thjeshtë shqiptare, por me shpirt të madh sa një epokë.

E lindur më 1912, në vitin e madh të pavarësisë së shettit shqiptar, ajo bëri një jetë të mbushur me sakrifica, dhimbje dhe dinjitet, duke u bërë simbol i qëndresës dhe dashurisë së pafund për gjakun e vet dhe për atdheun.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 22 maj 1999, Naile Canolli Jahiri u vra nga kriminelët serbë, vetëm pak javë para çlirimit.

Por para se të binte, ajo kreu një akt që sot ngjan më shumë me legjendë sesa me ngjarje reale.

Pas ofensivës së Marecit, ku nipi i saj, ushtari dhe Dëshmori i Kombit Bahtir Jahiri, kishte rënë për liri, Gjyshja Nole mori rrugën këmbë nga Vërbica e Zhegocit drejt Marecit.

E moshuar, e drobitur, me opinga në këmbë dhe me një strajcë të vogël në krah, ajo u nis vetëm për një qëllim: të gjente varrin e nipit të saj dëshmor.

Ajo nuk kërkonte hakmarrje, as lavdi. Kërkonte vetëm një grusht dheu ku të qante nipin e rënë. Por rruga e saj e dhimbjes u ndërpre dhunshëm. Kriminelët e vranë, duke ia prerë jetën një gruaje që kishte kaluar çdo kufi njerëzor për dashurinë ndaj gjakut dhe lirisë.

Rënia e Naile Canolli Jahirit është më shumë se një vrasje – është një akt martirizimi. Historia e saj është dëshmi se lufta nuk u bë vetëm nga armët, por edhe nga nënat, gjyshet dhe gratë shqiptare që ecën drejt vdekjes me dinjitet, për të mos e lënë kujtesën të vdesë.

Emri i saj mbetet i gdhendur në ndërgjegjen kombëtare si Martire e Kombit, ndërsa rruga e saj drejt Marecit mbetet një rrugë legjende./Sabedin Sherifi