Naim Abazit i vjen turp që është shqiptar, por unë krenohem me identitetim tim
Vana Jerliu Ramadani
Naim Abazi paska deklaruar diku se i vjen turp që është shqiptar kur shëtit nëpër botë dhe se të gjithë ata që mbajnë mjekra të gjata duhet të shkojnë në Arabi. Kësisoj, Abazi ka ofenduar e diskriminuar shqiptarët dhe ka treguar se ka problem personal me identitetin.
Përderisa njerëzit nuk i thyejnë ligjet, është e drejta e tyre se si i mbajnë flokët, mjekrën, si vishen dhe çfarë besojnë dhe askush nuk ka të drejtë të ofendojë e diskriminojë ata.
Naim Abazi duhet të turpërohet nga vetvetja që ka dhënë deklaratë të tillë e jo pse është shqiptar.
Në asnjë mënyrë të mos brengoset kur shëtit nëpër botë se çfarë mendon bota për shqiptarët, sepse shqiptarët nëpër botë kanë punuar shumë dhe vazhdojnë të punojnë me krenarinë më të madhe, duke e ruajtur identitetin e tyre dhe duke e ngritur krenarinë e Kosovës, bile edhe ata shqiptarë që janë me famë botërore.
Shqiptarët me famë botërore, me krenari të madhe po tregojnë se kush janë dhe nga janë dhe asnjëherë nuk po e harrojnë vendin e tyre.
Ne po krenohemi se jemi shqiptarë, madje edhe fëmijët tanë që nuk janë të lindur e rritur në Kosovë po mundohen ta ruajnë identitetin e tyre, prejardhjen e tyre, ta ngritin emrin Kosovë sa më lart që është e mundur, e kush je ti që po të vjen turp të tregosh se je shqiptar kur po e shëtit botën?
Si e prezanton ti Kosovën dhe shqiptarët kur shëtit nëpër botë?
Ku shkon dhe kush ta hap derën ty nëpër botë kur je ai person që turpërohesh nga identiteti yt?
A janë shqiptar ata që ta hapin derën apo janë nga nacionalitete tjera dhe çfarë sheh ndryshe tek ata nga populli yt?
Naim Abazi, ne shqiptarët që jetojmë nëpër botë, punojmë në institucione të ndryshme, si në shëndetësi, drejtësi, qeveri të shteteve të ndryshme, akademi të ndryshme, muzikë, sport etj, dhe kurrë nuk u turpëruam që jemi shqiptarë, por ndryshe nga ti po krenohemi aq shumë saqë me krenari të madhe po e ruajmë identitetin tonë.
Po ulemi pranë njerëzve të mëdhenj, me famë botërore, me grada të larta, me kredibilitete të mëdha dhe më krenari po tregojmë se jemi shqiptarë.
Unë personalisht, së bashku me familjen time jemi aq krenarë se jemi shqiptarë saqë e kemi të theksuar krenarinë, aq të theksuar, sikur na shkruan në ballë “mos ma prek krenarinë se jam shqiptar, se pastaj do të kemi problem”.
Më beso se në jetën e përditshme kemi rrethin me njerëz të ndryshëm, njerëz të zakonshëm, patriotë ndaj vendit të tyre, akademikë, por ne kur jemi aty, presim prej tyre të na e respektojnë identitetin tonë, ashtu siç ne respektojmë identitetin e tyre.
Gjatë shkollimit tim dhe punës profesionale, kam takuar njerëz me kredibilitete të ndryshme, bile tani mu kujtua një profesor në akademinë e drejtësisë, njeri me shumë grada të larta dhe me përvojë pune shumëvjeçare në Shtëpinë e Bardhë.
Më kujtohet saktësisht kur profesori erdhi ditën e parë në ligjëratë, i kishte sjellë me vete edhe kredencialet e tij, që ishte e pazakontë, me qëllim që të na tregonte neve studentëve se në profesionin e tij, kur thotë diçka e mbështet atë në kredencialet e tij dhe gradat e tij të larta nga Shtëpia e Bardhë.
Varësisht sa isha e impresionuar nga arritjet e tij, unë kur u prezantova si studente, nuk harrova të tregoj se jam shqiptare nga Kosova. Atë e thashë me krenari dhe po i qëndroja ballë për ballë, me atë krenarinë se unë jam shqiptare nga Kosova dhe sot jemi ballë për ballë dhe po krenohem.
Më besoni që nga ajo ditë kam pasur një respekt të veçantë nga ai, sepse sigurisht e kishte kuptuar se me krenari po shkollohesha dhe isha ajo shqiptarja nga Kosova që asgjë nuk do të mund të ma ndryshonte identitetin tim, varësisht titujve të mi akademik.
Ky është vetëm një shembull i vogël për me të tregua ty z. Abazi se nuk ke nevojë të brengosesh se çfarë mendon bota për neve, se në fakt kemi bërë emër për të mirë ne shqiptarët anë e mbanë botës.
Sa i përket diskriminimit fetar, duhet ta kuptosh se për shumë njerëz besimi dhe ajo në çfarë besojnë ata, është temë shumë e ndjeshme dhe shumë e rëndësishme dhe në asnjë mënyrë, askush nuk ka të drejtë të diskriminoj tjetrin, pavarësish besimit.
Qiftit Abazi-Braha i kisha preferuar të mos japin deklarata të tilla, por të krenohen se kush janë, sepse është krenari më e madhe me qenë shqiptarë sesa janë veç si Naim e Mihri. Po të kombinojnë të dy krenaritë se bashku, do të ishin edhe më të mirë se që janë sot.
Unë, unë dhe vetëm unë, është e dëmshme në shumicën e rasteve, si në nivelin personal, ashtu dhe të karrierës.
Unë mund të kem kritika për shumë gjëra në Kosovë, por asnjëherë nuk turpërohem se jam shqiptare, kosovare, në fakt është krenaria ime e madhe, sepse krenohem me popullin tim.
Naim, unë jam krenare që jam shqiptare! Mos ma lëndo krenarinë!
……………………………………
(Autorja është Magjistre e Studimeve të Varësive, Shëndetit Mendor dhe Magjistre e Drejtësisë Penale në SHBA)

