Nanat tona e blenin dikur humzën me miell ose djathë
Shkrimi i gazetës online Mediafokus.info për humzën (huma), një lloj dheu që dikur përdorej si shampon për flokë, ka nxitur debat në rrjetet sociale, për faktin se ku nxirrej asokohe ky material, për çka shërbente, si tregtohej dhe të tjera.
Shaban Bajrami thotë se humza ësht nxjerrë edhe në Karaçevën e Poshtme.
Shevçet Mehmet, një kronist i mirë i qytetit të Gjilanit dhe Anamoravës në përgjithësi, thotë se ne Gilan (ai e përdorë emrin e hershëm të qytetit) humëz është nxjerrë në Livoçin e Epërm.
“Në vitet e `60-ta nënat tona na lanin flokët me humëz në hamanxhikët që zakonisht ishin pas derës, duke ngrohur ujin në kazana ose kusi mbi shporetin e zi”, thotë Mehmet.
Kurse historiani i njohur nga Gjilani, Aliriza Selmani, ka thënë se humëz nxirrnin romët edhe në të djathtë të rrugës për Zabel, në fund të livadheve, te Mulliri i Arapit.
“Ai vend më rri para sysh edhe tani. Humzën e blenin pastaj nënat tona me miell apo me djathë nga romët”, thotë Selmani.
Ndërkaq, Shefket Shabani thotë se shumica sot nuk e dinë çka është humza.
“Ne në Stanishor e kemi pasur një vend si tunel ku nxirrnim humëz për me i la flokët”, tregon ai për kohën dhe përvojën e tij.
Në të vërtetë, nga fabrika e humzës dikur siguronin ekzistencën e tyre 160 familje të fshatrave të Malësisë së Dardanës, të cilat shtrihen përgjatë brezit kufitar me Serbinë, shkruan Mediafokus.info
Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit, thotë se “Humëza” dikur punësonte mbi 160 punëtorë, ku prodhohej material për shpime gjeologjike, detergjente, sapunë e prodhime të tjera nga kjo lëndë.
“Kjo anë kishte edhe antimon, siç ishte rasti me Sedllarin, ku fabrika punoi deri në vitet e gjashtëdhjeta, por prej kur u ndalën shpimet gjeologjike e u ndal prodhimi, këtu nuk funksionon më asgjë dhe nuk ekzistojnë më as vendet e dikurshme të punës”, thotë Lenjani.
Humëza dhe pasuritë nëntokësore, janë qëllimi i Serbisë në këtë pjesë të Kosovës. Jo rastësisht është devijuar edhe kufiri./MediaFokus/


