NATO refuzon kërkesën e Zelenskyt për mbylljen e hapësirës ajrore të Ukrainës për Rusinë

Vendet e NATO-s janë bashkuar në mbështetjen e qëndrimit të aleancës se nuk do të krijojë një zonë ndalim-fluturimi në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një të tillë, tha shefi i organizatës.

Nuk do të ketë “dislokim të kapaciteteve ajrore apo tokësore në Ukrainë dhe ky është qëndrimi i bashkuar i aleatëve tanë”, tha të mërkurën shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë shtypi në Bruksel, raporton CNN, transmeton lajmi.net.

Ministrat diskutuan këtë çështje në një takim të ministrave të jashtëm të martën, tha sekretari i përgjithshëm, duke shtuar se aleanca është e vendosur të mos përshkallëzojë luftën me Rusinë.

“Ne shohim shkatërrim, shohim vuajtje njerëzore në Ukrainë, por kjo mund të bëhet edhe më keq nëse NATO ndërmerr veprime që në fakt e kthejnë këtë në luftë të plotë midis NATO-s dhe Rusisë”, tha ai.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme për të marrë pjesë në një samit të NATO-s më 24 mars dhe gjithashtu do t’i bashkohet një takimi të Këshillit Evropian, tha të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.