Ndahet nga jeta avokati Ajvaz Islami
Eshtë ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare avokati Ajvaz Islami (1957-2023). Dedikim për të ka bërë kushëriri Hysen Neziri.
Lajmi se sonte paska vdekur kusheriri im, avokati Ajvaz Islami, më mërziti pa masë!
Ajvazin, e kam pasur jo vetëm kusheri, por edhe shok. Me të kemi pasur afërsi e miqësi të madhe. Edhe pse nuk kemi qenë moshatarë, kemi ndenjur shumë bashkë dhe kemi diskutuar gjerë e gjatë për shumë tema me një sinqeritet të madh vëllazëror e miqësor.
Ai realisht ka qenë shtylla kryesore e familjes së tij dhe e mëhallës sonë në këto vitet e fundit.
Ka lënë një zbrazëti të madhe në mendjet dhe zemrat tona.
Ajvazi ka pasur të kryer fakultetin juridik në Universitetin e Prishtinës, pastaj edhe Provimin e Jurisprudencës.
Në vitet 1983-2000 ka punuar sekretar i shkollës në SHFMU “Emin Duraku” në Gjylekar, pastaj në vitet 2000-2002 në SHFMU ” Hasan Alia- Remniku” në Remnik. Nga viti 2002 e deri 2023, avokat në Viti.
Personalitetin e Ajvazit e ka karakterizuar afërsia, sinqeriteti dhe mirësjellja me çdo njeri, pavarësisht moshës apo statusit social.
Ka qenë shumë pozitiv. E ka dashur të mirën, të ndershmen, arsimimin, përparimin dhe njerëzoren. Ka lënë katër pasardhës, tre djem e një vajzë.
Burimin (avokat), Fetijen (ekonomiste), Xhavitin (doktor i ekonomisë) dhe Dritonin (jurist).
Shpirti i tij i mirë, u prehtë në paqen e pasosur! – thuhet në dedikimin e Nezirit.
Varrimi i të ndjerit bëhet të enjten, më 23. XI. 2023, në ora 14:00 në varrezat e fashatit Remnik.
