Ndahet nga jeta Bujar Bukoshi
Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, ka ndërruar jetë sot në moshën 78-vjeçare Dr. Bujar Bukoshi, një nga figurat më të njohura të skenës politike dhe shëndetësore të Kosovës.
Ai lë pas bashkëshorten, Dr. Zana Bukoshi, tri vajzat Ora, Shota dhe Nita, si dhe nipërit Dardan e Taulant.
Ai u emërua Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil pas shpalljes së Republikës së Kosovës më 1991 dhe për afro një dekadë punoi nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore për represionin serb në Kosovë.
Përveç kontributit të tij si mjek dhe profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ai luajti një rol kyç në themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku u zgjodh sekretar i përgjithshëm.
I përndjekur nga regjimi serb për shkak të angazhimit të tij politik, në vitin 1990 ai u dëbua dhunshëm nga Klinika e Prishtinës ku punonte si kirurg. Me krijimin e Qeverisë së Kosovës në ekzil, Dr. Bukoshi organizoi rrjetin e donacioneve nga diaspora (“3 përqindëshi”), që mbajti në jetë sistemin paralel të arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.
Pas luftës së Kosovës, ai mori pjesë në negociatat e Rambouillet-së dhe drejtoi Unionin e Fondeve për Rindërtimin e Kosovës (UFORK), përmes të cilit u rindërtuan shkolla, shtëpi dhe projekte kulturore në vend. Më pas shërbeu si deputet, ministër i Shëndetësisë dhe Zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, duke kontribuar në reforma në shëndetësi dhe mirëqenie sociale.

