Ndahet nga jeta doajeni i kirurgjisë në Anamoravë, Remzi Ali
Ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare, njëri ndër mjekët e parë të Anamoravës, doajeni i kirurgjisë, Remzi Ali, i cili ka dhënë kontribut të madh në shëndetësinë e Gjilanit dhe të regjionit, i cili prej vitit 1993 jetoi në Turqi, shkaku i përndjekjes nga pushteti serb i kohës.
Pas 30 vitesh, ai ishte rikthyer si vizitor në spitalin e Gjilanit, ku punoi po aq vite dhe ku i vuri bazat e kirurgjisë, shkruan Mediafokus.info
Ai ishte ndër kirurgët me të vlerësuar jo vetëm në Gjilan, por edhe me gjerë.
Remzi Ali ka lindur më 1933, në Ohër të Maqedonisë, ku ka kryer shkollën fillore dhe të mesme.
Në vitin 1954 ka regjistruar Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku ka diplomuar në vitin 1960.
Në vitin 1962 vjen në Gjilan, kur punon si mjek i praktikës së përgjithshme deri në vitin 1966.
Këtu martohet me mësimdhënësen Nazmije Ahmeti, e cila vjen nga një familje e njohur gjilanase.
Ndërkohë e kryen edhe specializimin nga kirurgjia, në Shkup.
Prej vitit 1975 deri në vitin 1984 ka qenë kryeshef i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Gjilanit, dy herë drejtor gjeneral i Qendrës Medicinale në Gjilan.
Dr. Remziu, ditë dhe natë interesohej për shëndetin e popullatës në Anamoravë.
Në vitin 1985, pas rastit të njohur Martinoviq, fillojnë peripecitë e pareshtura për kirurgun Ali, pasi e kishte ekzaminuar pacientin dhe kishte konstatuar ‘vetëlëndim’.
Kundër tij u ngrit krejt politika dhe shtypi në Serbi, sepse ua kishte prishur planet që rastin t’ua faturonin shqiptarëve.
Politika e Beogradit nuk u pajtua kurrë me të vërtetën se Martinoviq ia kishte futur vetvetes shishen në prapanicë.
U shkruan gazeta, libra, u bënë emisione dhe u xhiruan dy filma për rastin Martinoviq.
Me 1993, pas një gjyqi me një akuzë të montuar, si hakmarrje për rastin Martinoviq, kirurgu Remzi Ali detyrohet të largohet në Turqi.
Atje vazhdoi punën si mjek, deri në pension, por duke e mbajtur në zemër Kosovën dhe popullin e saj, të cilin e ndihmoi shumë gjatë luftës.
Mjeku Remzi Aliu la gjurmë të pashlyeshme në mjekësinë e Gjilanit. /Mediafokus.info

