Ndahet nga jeta Halil Mushica, njeriu i shtigjeve të gjata jetësore

Ka ndërruar jetë në Gjilan, moshën 96-vjeçare veterani i arsimit, Halil Mushica.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij.

Halil Mushica, ka qenë një aktivist, patriot i shquar, dhe njeri i pendës, i cili kontriboi në arsim në mbi 40 vite.

Ai u shkollua në kushte të vështira, duke udhëtuar kilometra të tërë në këmbë, nga Kika për në Prishtinë.

Madje, udhëtoi duke mos e ditur saktësisht edhe rrugën e maleve për të mbërritur tek caku i duhur.

Përgjatë rrugës e zinte shiu, e bora, duke u strukur nën trungujt e mëdhenj të lisave të gjatë, deri sa të ndalej për të vazhduar tutje.

Udhëtoi sepse e donte arsimin, ishte i pasionuar pas dijes. Përgjatë 40 viteve, si mësues, arriti të edukojë shumë breza, e t’i frymëzojë ata në frymën patriotike.

Nxënësve të tij u thoshte vazhdimisht se, vetëm dituria mund ta nxjerrë popullin tonë nga shtypja e regjimi.

Halil Mushica kishte një memorie të hatashme, duke i mbajtur të freskëta të gjitha kujtimet e kohës. /Mediafokus.info