Ndahet nga jeta i riu Fidan Orani – fjalët e babait e bëjnë edhe qiellin të lotojë

Është ndarë nga jeta i riu Fidan Orani nga Gjilani. Ai nuk e tejkaloi dot sëmundjen, ndonëse luftoi për katër vite me te nëpër spitale e klinika brenda e jashtë.

Lajmin e ka bërë të ditur babai i tij përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka treguar për sakrificën dhe përkujdesjen e tij gjatë katër viteve të vështira të sëmundjes.

Postimi i babait:

“Të dashur miq e farefis, me dhimbje të madhe ju njoftoj se sot ndërroi jetë biri im i dashur, Fidani.

Për katër vite sakrifikova shumë për të. Në çdo spital ku qëndroi në Gjermani, unë isha pranë tij.

Edhe në kohën më të vështirë, kur ishte tre muaj në komë, qëndroja nga 12 orë te koka e tij.

E bëra veten kurban për të, edhe në këtë moshë të vjetër. Çdo mëngjes pyesja veten: ‘O Zot, a do ta gjej Fidanin gjallë?’

Edhe në spitalet e Gjermanisë e panë sa shumë përpiqesha të isha pranë tij dhe nuk më penguan ta vizitoja.

Njeriu qenka më i fortë se guri, por dhimbja për fëmijën të fut në varr për së gjalli.

Sot më erdhi dita ta përcjell Fidanin në botën e amshimit.

Shumë bëra për ty, biri im, por prapë do të kisha bërë edhe më shumë.

I qoftë i lehtë dheu Fidanit. Allahu e mëshiroftë.”