Ndahet nga jeta legjenda e këngës qytetare, Ismet Peja

Sot, në orët e heshme të mëngjesit, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare këngëtari Ismet Peja, njëri nga legjendat e muzikës shqiptare.

Lajmin për vdekjen e Ismetit, e ka dhënë djali i tij, Visar Peja.

“JARAN nuk dijta ndryshe as nuk mujta ndryshe me lajmru largimin tend nga kjo jete…pusho i qete se per ne ke ngel i perjetshem…tfala i bon Mames Jaran”, ka shkruar ai.

Ismet Peja ka lindur më 27 prill 1937. Ai ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Lindi në Gjakovë dhe është i biri i Musa Pejës, i cili ishte po ashtu këngëtar i melosit shqiptar.

Që në fëmijëri prej moshës 13/14 vjeçare filloi të merrej me muzikë. Sukseset më të mëdha i arriti me shoqërinë muzikore “Hajdar Dushi”, me të cilën kishte prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”.