Ndahet nga jeta njeriu i dijes, urtësisë dhe devotshmërisë, hafëz Sadri Rahimi nga Gjilani
Eshtë ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare, Hafëz Sadri (Bahtijar) Rahimi nga Malisheva e Gjilanit.
Sadri Rahimi ishte një njeri i dijes, urtësisë dhe devotshmërisë, hafëz i Kur’anit dhe imam i përkushtuar.
Tërë jetën ia kushtoi shërbimit ndaj fesë, arsimimit fetar të brezave dhe ndihmës ndaj komunitetit.
Hafëz Sadriu ishte shembull i moralit, i dijes dhe i punës së ndershme.
Memorizoi Kur’anin që në moshë të re, kreu studime fetare e gjuhësore dhe shërbeu mbi katër dekada si imam në Pozharan, Cërnicë dhe Malishevë.
Kudo që shërbeu, la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e njerëzve.
Hafëz Sadriu lexonte dhe shkruante poezi e ilahi, por fatkeqësisht të gjitha shkrimet i janë djegur në luftën e fundit nga hordhitë serbo-sllave.
I kishte shpëtuar vetëm një poezi patriotike që mbante titullin: “Malli për Kosovën”.
Së bashku me poezitë i ishin djegur edhe shënimet e ligjëratave që i kishte mbajtur në xhaminë e Pozharanit dhe të Cërnicës, gjatë kryerjes së profesionit prej imami.
Madje, ai ishte edhe i perndjekur nga regjimi serbo-sllav në vitet e 90-ta.
Hafëz Sadri Rahimi kontribuoi me përkushtim në KBI të Gjilanit dhe të Kosovës, edukoi breza të rinjsh, u angazhua në çështje humanitare dhe u bë shembull i përulësisë, dijes dhe ndershmërisë.
Kontributi i tij do të mbetet gjithmonë i pa shlyer.
Me fjalën, lutjen dhe shembullin e tij ai preku shumë zemra, forcoi besimin dhe fali gjithçka nga vetja për paqe.
Organizata e paqes universale e dekoroi me titullin me te larte – Ambasador i paqes universale. Ishte hoxha i pare ne gjitha trevat shqipetare me këtë titull.
Ikja e tij lë një zbrazëti të madhe, por kujtimi, vepra dhe mësimet e tij do të mbeten të gjalla ndër breza – thuhet në njoftimin e familjes./Mediafokus

