Ndahet nga jeta Xhevat Nevzati, njeriu që e sfidoi veten sa herë ishte në pyetje interesi kombëtar

Në Përlepnicë të Gjilanit, ka ndërruar jetë profesori Xhevat Nevzadi. Ai ishte ndër kuadrot e para të lëndës së kimisë në Gjilan.

Nuhi Nuhiu, bashkëvendës i tij, e kujton Xhevatin si një profesionist, punëtor dhe njeri të fjalës e parimeve.

Përveç si prind, mësimdhënës e humanist, ai dha kontribut edhe në çështjen kombëtare.

Në kohët më të vështira për Kosovën, në vitet e luftës 1998/1999, Xhevati ishte anëtar i kryesisë së Shoqatës bamirëse “Nëna Terezë”, e cila u kujdes për nevojtarët, që asokohe ishin të shumtë, pasi që pushteti serb kishte përjashtuar të gjithë shqiptarët nga puna dhe kishte instaluar një administratë të dhunshme në të gjithë sektorët.

Xhevati i sfidonte vazhdimisht rreziqet, kur ishte në pyetje interesi kombëtar. Kështu veproi edhe në rastin kur mori rrugën për në Prekazin e ndezur nga lufta, për të dërguar ndihma.

Gjatë rrugës, Xhevati ndalohet dhe maltretohet dhe më pastaj burgoset.

Jo vetëm familja Nevzadi, por edhe shoqëria në përgjithësi, me vdekjen e Xhevatit, ka humbur një njeri të mirë, i cili la pas vete shembuj të pamohueshëm të sakrificës, si trashëgiminë më të mirë për pasardhësit.

Xhevat Nevzadi u varros sot (28 shkurt 2020) në fshatin e lindjes, në Përlpenicë të Gjilanit./mediafokus.info