Ndalohen në paraburgim tre të dyshuar, deshën t`ia përgjakin ditëlindjen një personi tjetër

Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.L, M.Q dhe F.U, për shkak të dyshimit të bazuar se me datë 15.04.2021, rreth orës 20:55 minuta, pas marrëveshjes paraprake, të pajisur me thika, tentojnë ta privojnë nga jeta të dëmtuarin D.M, në atë mënyrë që deri sa i dëmtuari ishte duke e festuar ditëlindjen, me t’ua hap derën i dëmtuari, të pandehurit e sulmojnë me thika dhe largohen nga vendi, me ç’rast dëshmitarët e lajmërojnë policinë.

Me këto veprime të pandehurit si bashkëkryes kishin për të kryer veprën penale ‘vrasje e mbetur në tentativë’, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.

Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe duke e pas parasysh se të njëjtit fillimisht janë arratisur dhe për një kohë kanë qenë të paarritshëm për organet e ndjekjes andaj, me gjetjen e mundshme të tyre në liri mund të arratisen dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës.

Gjithashtu, dëshmitarët e rastit ende nuk janë dëgjuar dhe të pandehurit janë shokë të ngushtë me njëri–tjetrin andaj po qe se të pandehurit gjenden në liri do të mund të ndikonin në dëshmitarë dhe të bashkërendojnë mbrojtjen me njëri–tjetrin e në këtë mënyrë do të vështirësonin procedurën e hetimeve.

Gjykata, sipas detyrës zyrtare, vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë, mirëpo vlerësoi se në ketë fazë të procedurës, asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate, thuhet në njoftimin e Gjykatës.