Ndalohet një autobus me naftë e barna kontrabandë nga Kosova
Policia ka arrestuar tetë persona, mes tyre dy punonjës të Doganës në Kukës, pasi kishin lejuar futjen e mallrave kontrabandë nga Kosova në Shqipëri.
Mallrat ishin futur përmes një autobusi të linjës Prishtinë-Tiranë, ku mes tyre kishte veshje, medikamente si edhe naftë.
Siç dihet, nafta në Shqipëri shitet 265 lekë/litri, ndërkohë që në Kosovë është më lirë.
“Në rrugën “Jordan Misja”, në një parking, shërbimet e Policisë kanë konstatuar autobusin e linjës Prishtinë-Tiranë dhe shtetasit A. M., D. Z. dhe Sh. M., të cilët do të merrnin mallrat, të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, nga dogana e Morinës. Gjatë kontrollit të autobusit, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të tjera, pa pullë fiskale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave që i kanë porositur”, njofton policia.
Sipas policisë, të arrestuar janë:
– E. C., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një linje transporti;
– A. M., 52 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– D. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– Sh. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– Z. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, faturino në një linjë transporti;
– E. L., 22 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i një poste private. /abcnews.al

