Auto shkollat heqin dorë nga protesta me vetura, marrin premtime për rifillimin e punës

Rreth 400 auto shkolla në Kosovë kishin paralajmëruar një protestë me vetura, për shkak se nuk po lejohen ende të punojnë, ndërkohë që tashmë shumica e bizneseve i janë kthyer punës, raporton mediafokus.info

Federata e auto shkollave, përmes një komunikate ka bërë me dije auto shkollat se sot Shefi i Kabinetit të ministrit të Infrastrukturës, Selatin Kllokoqi ka biseduar me kryetarin e Federatës, Xhemshit Cakollit si dhe kryetarin e Shoqatës së auto shkollave “Dardania” Afrim Ismajli rreth ri-fillimit të punës.

Ai ka kërkuar mirëkuptim për vonesat e deritashme dhe ka premtuar se auto shkollat do të fillojnë punën së shpejti, prandaj nuk është e nevojshme të bëhet kërkesa në polici për protestë me automjete, deri të martën.

Duke kërkuar mirëkuptim nga auto shkollat, Federata beson se pas këtij premtimi, do të lejohet puna e auto shkollave.

Në të vërtetë, pronarë dhe punëtorë të auto shkollave kanë mbajtur një protestë të qetë para qeverisë para një jave, duke thënë se është i pakuptueshëm heqja e ndalesës për biznese të mëdha, madhe edhe për trafikun urban, ndër urban e hekurudhor dhe jo edhe për auto shkollat që punojnë me grupe të vogla kandidatësh në pjesën teorike, ndërsa pjesën praktike e mbajnë me vetëm nga një kandidat./mediafokus.info