Ndërpritet ndeshja Gjilani-Ballkani, tifozët futën në fushë dhe e lëndojnë portierin mysafir
Pa shenjën e gjyqtarit se ndeshja ka përfunduar, futbollistët e Gjilanit dhe ata të Ballkanit shkuan në zhveshtore, ngase në kohën shtesë “tifozët” vendës u futën në fushë për të festuar golin e barazimit (1:1) dhe dikush prej tyre e sulmoi portierin musafir.
Pas pak, në fushë u pa edhe autoambulanca e cila e mori portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri, për ta dërguar në spital.
Ballkani shënoi në minutën e parë nëpërmjet Ermal Krasniqit, i cili gjuajti me kokë dhe qëlloi këndin e poshtëm të djathtë të portës së Enea Koliqit për 0:1.
Gjilani nuk mundi të bëjë asgjë në pjesëlojën e parë, ngase për lojtarët e saj ishin të mbyllur të gjitha korridoret, derisa në pjesën e dytë ishte krejt ndryshe.
Që nga rinisja e ndeshjes, Gjilani u hodh me të gjitha forcat në sulm, por përkundër rasteve të shumta nuk ia dilte që të shënonte.
Ballkani u mbrojt me të gjitha forcat, shpeshherë duke e zhagitur lojën pa nevojë, kurse kjo zgjonte iritimin te shikuesit.
Në kohën shtesë, pasi është dhënë goditje nga këndi, portieri i Gjilanit Enea Koliqi shkoi në sulm dhe në topin e harkuar ishte pikërisht ai që qëlloi topin me kokë dhe e futi në rrjetë.
Në gëzimin e lojtarëve u përfshi edhe bankina e Gjilanit, por edhe shikuesit, të cilët u futën në fushë dhe në këtë rast është qëlluar edhe portieri Frashëri.
Më pas fushës ia mësynë edhe shikuesit e Ballkanit, por ata u ndalën nga sigurimi. Në këto zhvillime në fushë u desh të futet edhe autoambulanca, e cila mori portierin Frashëri, kurse futbollistët bashkë me gjyqtarët u drejtuan për në zhveshtore./Kryelajmi.com

