Ndërron jetë në Gjermani, gazetari Ismet Begu

Në Gjermani, ku jetonte prej disa vitesh, sot ka ndërruar jetë ish-gazetari i gazetës “Rilindja”, Ismet Begu nga Mitrovica (1957-2020). 

Ismet Begu ishte gazetar shumëvjeçar i të përditshmes “Rilindja”. Raportoi nga shumë ngjarje të rëndësishme në periudhën më të vështirë që kaloi Kosova, që nga suprimimi i autonomisë së Kosovës, gjatë viteve 80-të të shekullit të kaluar, pastaj nga Greva e Minatorëve të Trepçës, gjykimi i ish-politikanëve të Kosovës, Azem Vllasi, drejtorëve Aziz Abrashi e Burhan Kavaja, e shumë ngjarje të tjera.

Tash një kohë Ismet Begu, jetoi dhe veproi në Munih të Gjermanisë, prej nga edhe na erdhi lajmi për vdekjen e papritur të tij.

Ish-punonjësit e gazetës “Rilindja” i kanë shprehur ngushëllime familjes Begu nga Mitrovica.

Lajmin e ka përjetuar rëndë edhe kolegu i tij nga Mitrovica, Çerkin Ibishi, i cili ka kaluar nëpër periudha të vështira bashkë me Ismetin.

“Ismeti ishte kolegu dhe bashkëpunëtori im shumë vjeçar. Ishte njeriu që bashkërisht kaluem shumë sfida në profesionin që shumë e kemi dashur dhe e kemi kryer ndershmërisht”, ka shkruar Ibishi.

Për sjelljen e tij në vendlindje dhe varrimin, familja e të ndjerit do të njoftojë më vonë.