Nana Maliqe, gruaja që ringjalli jetën në shtëpinë e braktisur

Prof. Rexhep Abazi

Në moshën e pleqërisë së thellë, ka ndërruar jetë gruaja, nëna e motra shqiptare, me intelegjencë të lartë, kreativitet të përhershëm, ndershmëri engjëllore dhe virtyte të tjera pozitive, Maliqe (Zuzaku) Behluli nga Sfirca e Medvegjës.

Maliqe (Zuzaku) Behluli (1927-2021) u lind në fshatin Lisockë të Gollakut, në familjen e ndershme të varfërisë shqiptare.

U rrit e u edukua në vatrën shqiptare por pa patur mundësi shkollimi e emancipimi, sikurse edhe të gjitha vajzat shqiptare, simotra, të asaj kohe.

Si fëmija i parë i familjes, u rritë e u poq për jetë ndoshta edhe para kohe, duke u munduar të hyjë edhe në punët e rënda për t’i dhënë krahun familjes së varfër.

Pa dyshim që kjo edhe e bëri shumë të aftë për punë e jetë në të ardhmen.

Në rini prindërit e kishin fejuar me djalin e vetëm të familjes Behluli, me Bajramin, i cili në atë kohë nuk jetonte në shtëpinë e vet, pasi që i kishte vdekur babai, por në shtëpinë e një të afërmi të familjes.

Ishte ajo, vajza e re shqiptare, me trup jo të madh, por me shpirt e zemër të madhe që u tha prindërve se do të bëhej nuse e Bajramit, vetëm në shtëpinë e tij, kursesi në shtëpi të tjetër kujt.

Ishte ky një vendim sa i guximshëm, aq edhe vigjilent e qëllimmirë, por edhe i papritur nga një vajzë e re shqiptare të asaj kohe.

Dhe ashtu u bë, në shtëpinë e braktisur dikur, e filloi jetën e re të nusërisë, me bacin Bajram, po kështu një burrë i nderit, i kombit e atdheut.

Sa e vështirë ishte jeta e asaj kohe e dinë ata që e përjetuan, e jeta e këtij qifti të ri, në vatrën e shuar, ishte dhjetë fish më e rëndë, por e mbushur me shpresë, guxim e krenari.

Dhe ia dolën. Krijuan familje të mrekullueshme duke rritur dy vajza e tre djemë të vyeshëm e të ndershëm, duke pritur lindjen e shumë mbesave e nipave, e qe besa edhe të stërmbesave e stërnipave.

Baci Bajram iku më heret në amshim, por sot mësova se edhe kjo paska ikur. Allahu i shpërbleftë me parajsë.

Mendoj që kjo grua ishte njeriu që bëri mrekullinë, që familja e bacit Bajram Behlulit t‘i shpëtoi shuarjes dhe mbylljes së përhershme të derës së shtëpisë e cila në rrethana të caktuara ishte mbyllur dhe ishte fikur zjarri i oxhakut.

Më duhet patjetër të ceku së paku ca nga virtytet e saja, sipas meje, të veçanta, por jo të gjitha, sepse për këtë femër shqiptare, pak do jetë të shkruhej një roman.

Kishte duar të arta me të cilat nuk kishte gjë që e punonte dikush e ajo të mos e bënte.

Bënte mrekulli në punën me furkë, me bosht, me gjilpërë, me krrabëza, me vek e tjera.

Nuk i harroj pantollat për djemtë e saj, të cilët ajo i bënte nga pëlhura e konopit, i prente dhe i qepte me gjilpërë, por nuk dihej se nuk i ka bërë dora dhe makina e rrobaqepësit.

I dinte dhe i punonte të gjitha punët e bujqësisë, mbase edhe kositjen me kosë, dhe cokatjen e kosës, që vështirë e bënin edhe burrat.

Nuk ka pasur kush përpara por fatkeqësisht as pas saj të punojë më mirë kopshtin (bahçen) dhe perimet e lulet në te.

Në dasmat dhe tubimet tjera familiare ishte nga ato gra (ne i quanim maxhetore) e cila i printe, e kontrollonte dhe e vlerësonte procesin e përgatitjes së ushqimit.

Për ate, por fatmirësisht edhe për nënat e tjera të gjeneratës sime në familjen tonë, të gjithë fëmijët ishim sikur të ishin vetëm të një nane. Mbase, kështu ishte ndaj nesh edhe kjo gjatë tërë jetës së saj.

Më vjen keq që isha shumë larg e nuk pata mundësi t‘ia hedh një grusht dhe mbi varrin e saj.

(Zvicër, 10 dhjetor 2021)