Ndërron jetë në moshën 24-vjeçare, kampioni shqiptar i notit

Ka ndërruar jetë në moshën 24-vjeçare rekordmeni shqiptar i notit, Klavio Meça.

Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ndërsa ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së të riut nga Fushë Kruja.

“Një lajm i pabesueshëm na erdhi si bombë për ndarjen nga jeta të sportistit shqiptar Klavio Meca në moshën 24 vjec. Nuk gjejmë fjalë për të shprehur dhimbjen e madhe… Kujtojmë që notari Klavio Meca, ka pasur një sërë arritjesh sportive ndërsa vecojmë se në Budapest të Hungarisë ka vendosur një rekord të ri kombëtar në 400 m stil i lirë me kohën e përgjithshme 4’04”03. Ishte një djalë i shkëlqyer me sjellje shembullore dhe disiplinë sportive. KOKSH i shpreh ngushëllime familjes dhe komunitetit sportiv. U prehsh në paqe kampion! Do të na mungosh…”, thuhet në njoftimin e KOKSH.