Ndryshojnë rregullat për dhënien e provimit për shofer

Një marrëveshja ndërmjet dy ministrive në Kosovë do t`i rregullat e dhënies së provimit për patentë-shoferë. Tani e tutje, në këtë proces përfshihet edhe një person i autorizuar nga Ministria e Brendshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës,  Arban Abrashi, kanë nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi, që ka për qëllim marrëveshjen e ndërsjellë për pjesëmarrjen e stafit të autorizuar nga MPB-ja në cilësinë e vëzhgimit në provimet për shofer si dhe përshkrimi i kushteve dhe mënyra e pjesëmarrjes së zyrtarëve të MPB-së.

Në zbatim të nenit 124, të Ligjit Nr.05/L-064 për patentë shoferi, pjesëmarrës në mbikëqyrjen e mbajtjes së provimeve do të jenë edhe zyrtarë të autorizuar të MPB –së. Gjithashtu, MI siguron se në testimet për shoferë do të përfshihen zyrtarët e autorizuar nga MPB-ja.

Më tej, në këtë memorandum thuhet se zyrtarët e autorizuar nga MPB-ja dhe MI-ja do të angazhohen me vendim të ministrit të MI-së.

Me nënshkrimin e Memorandumit, MI dhe MPB pajtohen që të dhënat nga pjesëmarrja në testime të jenë konfidenciale dhe si të tilla, do të përdoren vetëm për qëllime të këtij Memorandumi dhe të njëjtat nuk do të shpërndahen tek palët tjera të paautorizuara, thuhet në marrëveshje.

Ndërkohë, rreth 400 auto shkolla në Kosovë nuk janë lejuar ende të punojnë, edhe pse në pakon e fundit të masave lehtësuese janë lejuar të punojnë edhe biznese të mëdha, trafiku rrugor e hekurudhor dhe të tjera.

Duket se ky sektor, ka edhe probleme tjera, prandaj nuk po lejohet të punojë as pas 100 ditës të ndërmarrjes së masave kundër pandemisë si dhe disa ditë pas lehtësimit të tyre.

Auto shkollat kanë bërë një protestë, sepse është e pakuptimtë t`i mbash ato nën ndalesë, kur janë liruar biznese tjera më të mëdha./mediafokus.info