Rikujtim: Agim Rashiti, bokseri që i dha një grusht pushtetit serb
Para 36 vitesh u vra Agim Rashiti, sot dëshmor i atdheut. Vrasja e Agimit nuk ishte rastësi, sepse ai dallohej nga demonstruesit tjerë dhe tek ai regjimi i kohës shihte një të ri shqiptar që nuk e pranonte përuljen, shkruan Mediafokus.info
Agim Rashiti ra në demonstratat e vitit 1989, në mbrojtje të të drejtave të popullit të vet.
Vepra e tij, sikurse edhe e dëshmorëve tjerë pararendës e pasardhës, të rënë në të gjitha kohërat përgjatë rrugëtimit tonë për liri, duhet respektuar dhe përkujtuar përherë me pietet dhe krenari.
Në kohën kur shteti serb, me gjithë mekanizmin e tij represiv, kishte mësyrë përmbysjen të asaj pak autonomie që kishte Kosova, rinia shqiptare dhe tërë populli i Kosovës ishte ngritur në këmbë në mbrojtjen e atyre institucioneve dhe atyre të drejtave që kishin.
Agimi, si sportist që ishte, i ri dhe trim, shquhet në shpërthimin e tij kundër dhunës serbe në demonstratat e marsit të vitit 1989, në Gjilan.
Prandaj, shenjëstrimi dhe vrasja e tij nuk ishte rastësi.
Nderimi e përkujtimi për dëshmorët dhe martirët, është një kujtim i sakrificës dhe flijimit të të gjithë të rënëve për lirinë e kësaj toke.
Sot në Gjilan, Agim Rashiti ka një bust në oborrin e Spitalit, aty ku kishte rënë dëshmor para 36 vitesh, derisa emrin e tij e mban edhe një rrugë në këtë qytet.
Gjithashtu, në nderim të Agimit, në Gjilan organizohet herë pas here edhe një turnir boksi. /Mediafokus.info

