Në cilin fshat banorët jetonin dikur nga humëza?

Vetëm nga fabrika e humzës dikur siguronin ekzistencën e tyre 160 familje të fshatrave të Malësisë së Dardanës, të cilat shtrihen përgjatë brezit kufitar me Serbinë. Mundësitë për të punuar tokën janë të kufizuara, në një lartësi mbidetare mbi 550 metra, raporton mediafokus.info

Selver Lenjani, përfaqësues i fshatit, thotë se “Humëza” dikur punësonte mbi 160 punëtorë, ku prodhohej material për shpime gjeologjike, detergjente, sapunë e prodhime të tjera nga kjo lëndë.

“Kjo anë kishte edhe antimon, siç ishte rasti me Sedllarin, ku fabrika punoi deri në vitet e gjashtëdhjeta, por prej kur u ndalën shpimet gjeologjike e u ndal prodhimi, këtu nuk funksionon më asgjë dhe nuk ekzistojnë më as vendet e dikurshme të punës”, thotë Lenjani.

Brenga e tij më e madhe është se banorët e kanë humbur shpresën dhe po largohen nga shtëpitë e tyre.

Banorët e Karaçevës nuk kanë pushuar së kundërshtuari devijimet që kanë ndodhur në vijën kufitare me Serbinë. Ata kanë humbur tokat e tyre, për të cilat kanë edhe tapi.

“Ne kemi paguar dhe vazhdojmë të paguajmë tatim për këto toka në Kamenicë, ndërsa nuk po mund t`i shfrytëzojmë prej vitit 2001 e këndej”, thotë Selver Lenjani, njeriu i cili asnjëherë nuk heshti duke kërkuar korrigjimin e kësaj padrejtësie.

“Ne nuk kemi pretendime për toka të huaja, por kjo është tokë e jona”, thotë Lenjani, ndërkohë që shpreh vendosmërinë e banorëve për të mos hequr dorë nga pronat e tyre për asnjë çmim.

“Serbia nuk mund t`i kontestojë hartat e vitit 1962, sepse janë të punuara prej tyre, ku shihet qartë se ku ka qenë kufiri”, thotë Lenjani.

Humëza dhe pasuritë nëntokësore, janë qëllimi i Serbisë në këtë pjesë të Kosovës. Jo rastësisht është devijuar edhe kufiri./MediaFokus/