Në cilin lokalitet të Anamoravës gjenden tumat ilire të epokës së hekurit?

Tumat janë monumente mbivarrore, karakteristike për kulturën dardane, përkatësisht ilire.

Në to, zakonisht është varrosur paria fisnore, shkruan portali mediafokus.info.

Përgjithësisht tumat hasen në grupe, ose edhe të vetmuara.

Në Kosovë, për herë të parë shfaqen në periudhën e bronzit të hershëm.

Por, përdorim më të gjerë tumat gjejnë gjatë epokës së hekurit, të cilës epokë i takon edhe nekropoli tumular i Llashticës.

Nekropoli ndodhet në arat e fshatit, në anën e djathtë të rrugës Gjilan – Llashticë.

Nekropoli është zbuluar pas një ekspedite përnjohëse arkeologjike që kishte organizuar Muzeu i Kosovës, në vitin 1979.

Në katalogun e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore thuhet se në atë areal janë evidentuar 7 tumula, prej tyre 5 janë hulumtuar.

Tumat e Llashticës janë me përmasa të ndryshme, vazhdon shkrimi i portalit mediafokus.info.

Sipas materialit ndërtimor, tumat mund të jenë vetëm prej dheu, tuma prej dheu me mbulesë gurësh, pa unazë të jashtme, tuma prej dheu, me mbulesë gurësh dhe me unazë të jashtme prej guri ose pllakash guri.

Tumulat e Llashticës i përkasin tipit të tretë, pra tumave të ndërtuara prej dheu, me mbulesë gurësh, si dhe me unazë të jashtme prej guri ose pllakash guri.

Konstruksioni qendror prej guri, ndryshe i njohur si murana e tumës paraqet nismën e ndërtimit të tumës, ndërsa unaza përcakton kufirin e tumës brenda së cilës është bërë varrimi.

Në nekropolin e Llashticës, në asnjërën prej tumulave nuk janë gjetur skelete, as edhe gjurmë djegiesh.

Është kjo arsyeja që arkeologët të konsiderojnë me të drejtë se tumulat e tilla janë kenotafe.

Tumat e tilla zakonisht u  përkushtohen luftëtarëve të rënë larg vendlindjes.

Një dukuri e këtillë është e njohur në shumë nekropole ilire.

Prandaj, mbeten të rëndësishme gjetjet arkeologjike të cilat i përkasin parahistorisë.

Gjetjet e tilla kanë qenë të vendosura në konstruktin prej guri, por gjithsesi që na është bërë me dije se në tumulën i ka pasur gjetje parahistorike edhe jashtë varreve.

Shtresa që ka të bëjë me parahistorinë është e para (e poshtmja), ndërsa shtresa e dytë (e sipërmja) ka të bëjë me mesjetën, për të përfunduar se tumula I dhe II, për aq sa ka informacione kanë gjithsej dy shtresa kulturore.

Gjetjet në tumën e parë, në konstruktin prej guri janë: dy fibula bronzi, rruaza bronzi dhe një enë balte dyvegjake.

Nga dy fibulat, ajo më e madhja (për lartësinë e harkut dhe diametrit të diskut) ka trup të harkuar e të përdredhur, ndërsa ajo më e vogla ka trup të harkuar e të zbukuruar me rruaza bikonike.

Gjetja tjetër, rruaza e bronzit, ka trup bikonik me vrimë në mes.

Ndërsa, ena dyvegjake ka trup konik me fund të sheshtë. Supet e enës janë të zbukuruara me trekëndësha të incizuar, të vendosur në mënyrë të vargëzuar.

Pastaj fusha e trekëndëshave të parë është shkruar përbrenda me trekëndësha më të vegjël.

Me motivin e  trekëndëshave në linjë janë stilizuar edhe disa enë që janë gjetur jashtë varreve.

Disa nga gjetjet arkeologjike në Llashticë kanë ngjashmëri me gjetje të nekropoleve tjera, brenda dhe jashtë Kosovës.

Si të tilla, ato shpërfaqin kulturën e përbashkët protodardane, ose ndikimet e mundshme nga rajonet përkatëse.

Ndër gjetjet më të rëndësishme, është fibula gjyslikore pa motivin e tetës, gjithashtu e gjetur edhe në Shirokë.

Këto fibula janë të përhapura në tërë zonën.

Fibula me hark të përdredhur kronologjikisht është më e vonshme se fibula me këmbë në formë të mburojës beotike, e përhapur në tërë Ballakanin Qendror.

Sipas arkeologëve kosovarë, ndoshta një formë të veçantë në këtë zonë paraqesin fibulat me hark të përdredhur dhe këmbë rrethore, të gjetura edhe në Llashticë.

Torkvesi me skaje në formë të T-së është gjetur në Llashticë, ndërsa në Shirokë dhe Janjevë  torkvesi me skaje të lakuara.

Të rëndësishëm janë edhe byzylykët, objektet në formë boshtesh me disqe anash dhe në mes, urna si dhe objekte kulti me figura të zogjve, të punuara nga bronzi.

Studimet arkeologjike, sidomos rezultatet nga gërmimi i tumulave të Llashticës kanë dëshmuar se grupi kulturor “Glasinac-Mat”, më saktë varianti i tij i njohur me emrin Drilon, është shtrirë edhe në Rrafshin e Kosovës, përpos në Rrafshin e Dukagjinit.

Ky grup i veçantë historikisht është formuar në hapësirat e sotme të Kosovës, Maqedonisë veriore, Shqipërisë verilindore dhe Serbisë jugore./mediafokus.info