Në Gjenevë i jepet lamtumira e fundit mërgimtarit Shemsi Shatri

Në Gjenevë i është dhënë sot lamtumira e fundit mërgimtarit kosovar Shemsi Rexhep Shatri, shkruan albinfo.ch

Jetën dramë e me plot ngitje e rënie të Shemsiut, nëpërmjet një shkrimi të përgatitur nga veprimtari i çështjes kombëtare Xhafer Shatri e shpalosi Kaltrinë Shatri, mbesa e të ndjerit.

Ky jetëshkrim i përcjellë edhe me dy pika muzikore që Shemsiu i dëgjonte me shumë ëndje sa ishte gjallë i bëri me vaj të gjithë të pranishmit.

Pas përfundimit të ceremonisë arkivoli me trupin e pajetë të Shemsiut, i njohur nga shumëkush edhe si James Stern u përcoll në “Cimètiere d’Aïre“ të komunës Vernier të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.

Bashkëvendësi i tij Muhamet Imeraj, vdekjen e Shemsiut në dhe të huaji e cilësoi si një vdekje që dhemb shumëfish më shumë se ajo në truallin e etërve dhe gjyshërve tanë.