Në Gjilan shënohet Dita Ndërkombëtare e Zemrës me aktivitete ndërgjegjësues për shëndetin kardiovaskular

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zemrës, e cila shënohet çdo vit më 29 shtator, Qendra e Shëndetësisë Publike në Gjilan, në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan, organizuan një aktivitet informues dhe sensibilizues për qytetarët.

Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit të zemrës, parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe promovimin e një stili të shëndetshëm jetese.

Gjatë aktivitetit, qytetarëve iu ofrua këshillim shëndetësor dhe informacione të rëndësishme lidhur me faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës, rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore, ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe shmangies së faktorëve që dëmtojnë shëndetin kardiovaskular.

Mesazhi i këtij aktiviteti ishte i qartë: kujdesi për zemrën fillon me parandalimin dhe me zgjedhjet e përditshme për një jetë më të shëndetshme.

🫀 Zemra është motori i jetës – kujdesu për të sot, për një të nesërme më të shëndetshme!/Mediafokus