Në këto ditë të vështira për njerëzimin, janë të domosdoshme solidariteti, mirënjohja e pozitiviteti
Vana Jerliu-Ramadani
Jemi në përmbyllje të një viti, i cili nuk ishte aspak i lehtë për njerëzimin. Bota u përballë me një kërcënim serioz shëndetësor. Covid-19 ndryshoi shumë gjëra në vitin 2020.
Njerëzimi u përball me frikë, ankth, distancë, dhimbje e dhembshuri për ata që u larguan nga kjo botë me vuajtje nga pandemia.
Të solidarizohesh me të tjerët, kur ata kanë dhimbje e ditë të vështira, gjithnjë ka qenë vepër e madhe. Të jesh mirënjohës ndaj të tjerëve, do të thotë të kontribuosh pozitivisht në familje e shoqëri, kur është nevoja.
Mirënjohjen e merituan këto ditë të gjithë ata që me të gjitha forcat u munduan në mënyra të ndryshme të ndihmojnë tjetrin për të përballuar e tejkaluar këtë situatë tepër sfiduese.
Kuptohet, vështirësitë nuk kanë qenë të njëjta për të gjithë ne.
Mua më thyhet zemra për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre nga Covid-19. Më thyhet zemra për të gjithë ata që u infektuan me këtë virus dhe patën vështirësi të mëdha për ta tejkaluar rrezikun. Më thyhet zemra për të gjithë ata që u ballafaquan me probleme të mbijetesës gjatë kësaj kohe.
Nuk e patën të lehtë as fëmijët në shkolla këtë vit. Mësimdhënësit punuan me shumë përkushtim për të mos ngelur mbrapa me mësime. Bizneset, punëtorët në sektorë të ndryshëm punuan edhe në ditët më kritike.
Megjithatë, sakrificën më të madhe e bënë punëtorët shëndetësorë, duke iu ekspozuar rrezikut të drejtpërdrejtë nga virusi, derisa ndihmuan pacientët e tyre.
Të gjithë meritojnë një falënderim. Edhe ata që po i mbajnë maskat, sepse nuk është e lehtë për të gjithë as kjo masë, sidomos për disa që kanë probleme të ndryshme.
Të gjithë ne e ndjemë rrezikun dhe dhimbjen. Shpesh lexuam dedikime prekëse të familjarëve që humbën më të dashurit e tyre. Ndonjëherë patëm mundësinë të shohim edhe foto familjare që rikujtonin momentet e lumtura.
Me rëndësi, ne nuk u dorëzuam dhe nuk duhet të dorëzohemi as tani përballë këtij rreziku që po e sfidon botën. Duhet vazhduar tutje së bashku, me të gjitha forcat derisa ta tejkalojmë këtë situatë.
Duhet të jemi sa më pozitivë ndër vete, të shprehim mirënjohje dhe solidaritet në këto ditë të vështira. Qoftë edhe me një fjalë të mirë. Kjo është e domosdoshme.
Të tregosh durimin në këto ditë ku njerëzit po ballafaqohen me strese të mëdha, është një gjest për t’u vlerësuar. Edhe ndihma më e vogël, sot është një ndihmesë e madhe. Të falësh sot tjetrin, do të thotë të tregohesh njerëzor e human.
Të gjithë duhet dhe mundemi të kontribuojmë me diçka pozitive në këtë situatë.
Pozitiviteti, solidariteti dhe mirënjohja janë të nevojshme sot ndaj atyre që bëjnë pjesë në jetën tonë, po edhe të tjerëve, të cilët janë kalimtarë rasti në këtë rrugëtim të përbashkët sfidues.

