Në moshën 86-vjeçe ndërroi jetë profesori Naim Ibrahimi

Ka ndërruar jetë profesori në pension Naim Bejtullah Ibrahimi nga Përlepnica e Gjilanit.

“Në moshën 86 vjeçare ndërroi jetë me i dashuri ynë, profesori Naim Bejtullah Ibrahimi”, ka shkruar në profilin e tij në facebook Nuhi Nuhiu.

Naimi lindi në Përlepnicë, në vitin 1935, ku edhe e kreu shkollën fillore. Gjimnazin e kreu në Pejë, kurse shkollën Normale dhe fakultetin Filozofik – degën e gjuhës dhe letërsisë angleze, në Prishtinë.

Më 1 shtator të vitit 1953 filloi punën si mësues në fshatin Sllubicë, ku për herë të parë hapet shkolla në gjuhën shqipe, për të vazhduar më vonë në Pogragjë dhe pastaj në vendlindje, në Përlepnicë.

Në vitin 1963/1964 transferohet në Prishtinë, në konviktin e nxënëseve të shkollës Normale, fillimisht edukator dhe më pastaj drejtor.

Më vonë punoi profesor i gjuhës angleze në disa prej shkollave të Prishtinës.

Nga viti 1975 punoi në Sekretariatin Krahinor të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ku u angazhua për hapjen e shkollave shqipe në diasporë, si në Gjermani, Suedi, Zvicër, Francë, Amerikë e shumë shtete tjera në botë.

Pas lufte, përsëri i rikthehet ditarit në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë,  deri më 31. 08. 2004, kur doli në pension.

Me vdekjen e Naimit, familja humbi një anëtar të dashur e të vyeshëm, ndërsa Përlepnica humbi një njeri të mirë, të urtë, të matur e vizionar.

Ai la pas vete një familje të tërë intelektualësh, që janë një shembull i rrallë.

Varrimi i Nuhi Ibrahimit bëhet sot, më 3.04 2020, në ora 13.00 në varrezat e Përlepnicës.