Në mungesë të provave, zyrtarët e kompanisë “Eco-Higjiena” sërish lirohen nga akuzat për korrupsion

Gjykata Themelore në Gjilan, ashtu si në gjykimin e parë, i ka liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare, drejtorin e kompanisë “Eco-Higjiena”, Senad Ramaj dhe përfaqësuesin ligjor të kësaj kompanie, Besim Osmani, i akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur, të premten, nga kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi, i cili ka thënë se gjykata edhe pas këtij rigjykimi nuk ka gjetur prova se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Maliqi, brenda afatit ligjor, mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Maliqi, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Gjykata Themelore në Gjilan edhe më 25 qershor 2019, në mungesë të provave të akuzuarit Ramaj dhe Osmani i kishte lirar nga akuza.

E pakënaqur ndaj këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Gjilan.

Gjykata e Apelit e kishte aprovuar këtë ankesë dhe rastin në fjalë e kishte kthyer në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë me 29 nëntor të vitit 2016, me të cilën, Senad Ramaj, akuzohet se në cilësinë e drejtorit të kompanisë “Eco-Higjiena”, në Gjilan, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza ngarkon gjithashtu edhe përfaqësuesin ligjor të kësaj kompanie, Besim Osmani, i cili akuzohet për veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

Ramaj akuzohet se si drejtor i kompanisë, në kundërshtim me ligjin, më 10 korrik të vitit 2015, ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar duke nxjerrë aneks statutin  nr.513.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i njëjti e ka ndryshuar dhe nënshkruar këtë aneks statut pa pëlqimin e bordit, si drejtor ekzekutiv, edhe pse e ka ditur se veprimet e tij bien në kundërshtim me statutin e shoqërisë aksionare.

Sipas aktakuzës, Ramaj ka marrë vendim në mënyrë të kundërligjshme për pagesa për avokatë të pa licencuar, me pagë prej 300 euro në muaj, brenda periudhës njëvjeçare.

Ndërkaq, sipas aktit akuzues, përfaqësuesi ligjor Besim Osmani, prej 1 janarit 2013 e deri tani, në mënyrë të vazhdueshme, me dashje ka falsifikuar dokumentin zyrtar-autorizimin.

Sipas aktakuzës, duke e ditur se nuk është i autorizuar si përfaqësues i SHPK “Eco-Higjiena”, nuk ka pasur autorizim të shkruar me shkrim nga Komisioni i Aksionarëve të kësaj kompanie, në atë mënyrë që duke përfaqësuar interesat pa kurrfarë baze juridike të kompanisë, duke përdorë njëkohësisht dokumentin edhe vulën e kompanisë nëpër gjykata dhe nënshkruar me autorizime në kontratat si përfaqësues ligjor i kompanisë “Eco-Higjiena”.

Ai akuzohet se më 19 janar 2016, Komisioni Komunal i Aksionarëve, ka shfuqizuar çdo të drejtë të përfaqësimit në të gjitha organet gjyqësore të pandehurin Besim Osmani, pasi që ka falsifikuar kontrata, autorizimet, procesverbalet në emër të kompanisë.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se, i akuzuari Osmani ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi