Në QKUK operohet me sukses 26-vjeçari me tumor ngjitur për aortën abdominale

Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se një pacient i moshës 26-vjeçare, të cilit i ishte shfaqur një masë tumorale, ngjitur për aortën abdominale dhe te vena kaven, është operuar me sukses në Klinikën e Urologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Operimi është bërë nga ekipi i Klinikës së Urologjisë dhe Kirurgjisë Vaskulare, së bashku me anesteziologët dhe stafin përcjellës.

Sipas ShSKUK-së, pacienti ishte operurar më herët nga tumori në testise dhe pas rezistencës në kemioterapi dhe rrezatim, intervenimi kirurgjik ishte zgjidhja e vetme.

Tri ditë pas qëndrimit në spital, pacienti është liruar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.