Në shkollën ‘Rexhep Elmazi’, fillimi i vitit shkollor shtyhet për kohë të pacaktuar

Nehat M. Ramadani

Të dashur nxënës, në veçanti ju yllka e fatos që për herë të parë mezi prisni të mësyeni bankat shkollore, të nderuar prindër, komunitet, donatorë…!

Jam shumë i demoralizuar, që në vend të urimit për fillim të mbarë të vitit shkollor, më duhet t’u kumtoj lajmin e hidhur dhe kërkimfaljen se në SHFMU “Rexhep Elmazi”, Gjilan edhe përkundër përpjekjeve tona të parreshtura, mësimi nuk mund të filloj NESËR (MË NJË SHTATOR) edhe sikur të fillonte në gjithë Republikën e Kosovës, po të mos ishte greva e mësimdhënësve!

Shkaktar nuk janë vetëm neglizhimi i punimeve me tre-katër punëtorë në ditë, një javë punë e një pushim, kryerja e punëve shkel e shko, por 120 deputetët tanë të zgjedhur me votën tonë të cilët me ligjet favorizuese të klientelës së tyre, mafias ndërtimore, nuk i specifikojnë punët si duhet në ligj, për mbikqyrjen, moskryerjen e punimeve në afat, papërgjegjësinë totale gjatë kryerjes së punimeve (njëherë suvatohet objekti pastaj ndrrohen dritaret, e tek pastaj bëhet izolimi i tavanit!) etj..

Kështu që 146.000 eurot e Bankës Botërore për efiqiencë në SHFMU ”Rexhep Elmazi” përfundojnë në xhepat-arkën e dikujt që bënë eksperimente në vendet e shejta siç janë shkollat në këtë rast, pa u lodhur për shtyerjen e procesit edukativo-arsimor!

Përderisa, përgjegjësia për rezultatet e dobëta në PISSA po bien mbi mësimdhënës, shtrohet pyetja mbi kë bie përgjegjësia për legjislaturën shkret të atyre që thithin naftë e benzinë në muaj sa dy paga të mësimdhënësve!

Puna që po “përfundon” në shkollën tonë veç se ka filluar të vetshkatërrohet nga cilësia shkret e punimeve, andaj sa më shpejt të ndërmerret diçka aq më mirë për të gjithë, e në veçanti për ata engjuj që presin me padurim nxënien e njohurive të reja.

Me shpresën për përfundim sa më të shpejtë, për një ngritje cilësie, e për ditë të mira dhe fillim të mbarë të vitit të ri mësimor ju uroj shëndet juve dhe familjeve tuaja, vetëdijësim, atdhedashuri dhe patriotizëm 120 deputetëve te Parlamentit të Republikës së Kosovës, që ta njohin veten para se të na njoh Serbia!