Në Teatrin e Gjilanit, nesër vjen shfaqja ‘Kepi i shpresës së mirë’
Nesër, e mërkurë, 14 dhjetor, në ora 20:00, në Teatrin e Gjilanit vjen shfaqja “Kepi i shpresës së mirë”, me regjia nga Eli Nura, aktoren Lena Kryeziu Bokshi, muzikën e Memli Kelmendit, skenografinë e Bekim Korçës dhe kostumografinë e Njomëza Lucit.
“Kepi i shpresës së mirë”, i bazuar në Mënyrat e Zonjushës Margarida nga Robert Athayde është një satirë me një fund të hapur, që vë në lojë pushtetin, i cili kap në diagramin e tij një spektër të gjerë – trysnia nga prindërit, mësuesit deri te diktatura.
Ngjarja është e vendosur në një klasë dhe i gjithë procesi i jetës, shpjegohet kryesisht përmes lëndës së biologjisë dhe aty ku ka nevojë për shpjegime, shtesë, Mësuesja Magaridë ndërthur edhe Gjeografinë, Historinë, Matematikën dhe Letersinë.
Në shfaqje ka shumë simbolika që asociojnë në shtypje, korrupsion, censurë, propagandë dhe mbi të gjitha, frikë.
Duke imponuar kontrollin diktatorial mbi subjektin e saj, znj. Margarida, thekson virtytin e bindjes si mjet i pershtatjes për mbijetesë.

