Në varrezat e qytetit në Gjilan pushojnë trupat e tre anëtarëve të familjes Xhaferi, familjari kërkon ri-definim të statusit të tyre
Tre anëtarë të familjes Xhaferi, Ramizi, Miradija dhe Safeti, me nderime të larta, ishin varrosur më 1 shkurt të vitit 2006 në varrezat e qytetit në Gjilan.
Ramiz Xhaferi (1929), Miradije Xhaferi (1943) dhe djali i tyre Safet Xhaferi (1981) konsideroheshin të zhdukur që nga koha e luftës në Kosovë, derisa trupat e tyre ishin gjetur në një varrezë në Kishnicë, diku në prill të vitit 2004 dhe ishin dërgaur në morgun e Rahovecit, ku pastaj ishte bërë identifikimi.
Në ceremoninë e rivarrimit, që ishte udhëhequr nga TMK-ja, pos familjarëve të tij në Gjilan dhe Ramjan të Vitisë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues komunalë, pastaj nga Zyra për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Kosovës, nga Bashkësia Islame dhe qytetarë të shumtë.
Familjari i tyre, Hafiz Sejdiu, kërkon që atyre t`u njihet statusi i dëshmorrit ose martirit dhe të rivarrosen në varrezat e dëshmorëve, sepse kanë në përballje me forcat serbe, duke mbrojtur pragun e shtëpisë.
Trupat e pa jetë të Ramiz Xhaferit, bashkëshortes së tij Miradijes dhe djalit të tyre Safetit, ishin zbuluar nga disa barinj të fshatit Kishnicë.
Bashkëvendësit e tij në Kishnicë, ku familja Xhaferi ishte vendosur vetëm pak kohë para luftës, pasi ishin shpërngulur së fundi nga Gjilani, pas ecejakeve në Mlladenoc dhe Prizren, thonë se ata ishin eliminuar nga forcat serbe, më 28 mars 1999.
Dëshmitarët thonë se Ramizi, Miradija (e identifikuar në letërnjoftim si Miroslavka, e lindur në Vranjë) dhe Safeti, ishin ekzekutuar nga krimineli i njohur me nofkën “Mila” Nedelkoviq.
Bashkëvendësit e tij thonë se Xhaferët ishin fqinjë shumë të mirë.
Nysrete Kumnova, kryetare e Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverisë e Kosovës, kishte thënë asokohe se gjaku i martirëve bëri që ne sot të jetojmë të lirë.
Lojën me personat e zhdukur, Nysrete Kumnova e ka quajtur “kapitullin më tragjik të gjithë historisë së Kosovës“.
Në emër të komunës së Gjilanit, i fundit nga martirët u nda kryetari i komunës, Xhemajl Hyseni.
Dhimbja është edhe më madhe, kur dihet se si u vranë këta martirë nga barbaria serbe dhe kjo ceremoni, si shumë të tjera, është një mesazh për bashkësinë ndërkombëtare, për të gjithë ata që po merren me Kosovën, se nuk duhet dhënë rast që gjërat e tilla të përsëriten në këto troje kurrë më, tha Hyseni.
Në emër të lagjes “Minatori” në Kishnicë, ku kishte jetuar familja Xhaferi, ka folur Fatmir Gashi, i cili i kujtoi ata si fqinjë të respektuar, derisa në emër të familjes, Hajriz Thaçi ka falënderuar qytetarët, komunën dhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës për nderimin që iu bënë martirëve.
Vetëm pak minuta pasi ceremonia e varrimit të martirëve është kryer dhe njerëzit janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre, në Gjilan është lajmëruar djali i Miradijes, nga martesa e parë, Bekimi, i cili ishte njoftuar nga gazetat për fatin e nënës së tij.
Bekimi ka rrëfyer asokohe një pjesë të dhimbshme të historisë së nënës së tij, të cilin ai e njehë me emrin Nurije, e cila ishte me origjinë shqiptare, nga komuna e Gjilanit.
Sipas Bekimit, Miradija ka qenë e martuar më parë me Rexhep Mehmetin nga Presheva, me të cilin i ka pesë fëmijë, që tani jetojnë në Ferizaj.
Prindërit e saj ishin shpërngulur nga Gjilani në Vranjë, shkaku i një vrasje të paqëllimtë që i kishte ndodhur Ramadanit (babait të Miradijes) në gjueti.
Nën presion, Ramadani është detyruar ta ndërrojë emrin e tij dhe të familjarëve në Vranjë.
Rasti i Miradije Xhaferit, e njohur nga fëmijët e saj edhe me emrin Nurije dhe Miroslavka, është një rrëfim në vete që të rrëqeth trupin.
Bekimi ka thënë se Nurija ka qenë shqiptare dhe ajo është martuar me shqiptarë, shqip ka folur./Mediafokus

