“Në vend që me ia dërgu një kafshatë bukë, ata e mbytën me stupca” – Rrëfimi i axhës së 18-vjeçarit që u vra në Podujevë

Një konflikt që nisi te një frizer në Podujevë, përfundoi me tragjedi.

Lulzim Fejzullahu, 18-vjeçar nga komuna e Podujevës, u shkel me veturë e më pas u rrah brutalisht me shufra druri deri në vrasje.

Fejzullahu që ishte rritur pa prindër, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve, dhe ndërroi jetë gjatë ditës së djeshme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Xhaxhaxi i 18-vjeçarit, Rrahim Fejzullahu, ka rrëfyer për Nacionale se si ndodhi gjithë ngjarja. Ai ka thënë se krejt konflikti nisi për radhën te frizeri, për çka më pas nipi tij vendosi të largohej nga lokali.

“Djali ka qenë pa dy prindër, ka qenë punëtor, rasti ka qenë një ditë përpara të shtunën, më 13 është hi qeta me i hjekë flokët, qëtu është një berber ku qethen e rruhen. Edhe janë rrokë për vend, jo ulësh ti para meje jo unë para teje, djali është nis me ardh prej shpie mos me u qeth hiç, edhe janë rrokë me krah në derë kah të dalin, si shqiptarët që e kanë traditë pse po më rrok me krahë, kush je ti çka je ti”, ka thënë Fejzullahu.

Pas këtij konflikti të çastit, dy personat e tjerë të mitur që u arrestuan për ngjarjen, kanë marrë mjete të forta. Fillimisht e kanë goditur me veturë, e më pas e kanë goditur brutalisht në kokë.

“Djali është nis me ardh prej shtëpie, ata e kanë përcjellë me kerr. Së pari janë shku kanë marrë stupca të bejsbollit, tani e kanë përcjellë qëtu, e kanë zënë te shtëpia aty, e kanë shkelë me kerr. E kur e kanë rrëzu djalin i kanë hi me shipka e qato të bejsbollit në krye, kështu që djali dje në ora 15:20 ka ndërruar jetë. Asnjë shenjë trupit se ka, veç në krye. Kjo është vrasje dy here, një here me kerr tani me stupc. As hak as hile s’iu kam pas, zoti hajr e baftë na ka ndodh, na ka zanë”, ka thënë më tutje xhaxhai i të ndjerit.

Ai nën lot ka rrëfyer se nipi i tij s’ka pas probleme asnjëherë me askënd. Ka punuar me një rrogë të vogël në një ‘fast food’.

“Djali e ka edhe një vëlla para vetes, dhe një motër. Ky pa prindër ka qenë prej moshës 5 vjet, e kemi rrit qysh kemi mujt. As borxh as hak as hile kërkujt s’i kemi. Kërkoj drejtësi maksimale, nëse ka drejtësi. I lutem shtetit, drejtësi maksimale. Me dalë me mbyt një jetim pa të bërë sen veç shqiptarët po e bojkan. Në vend që me ia dërgu një kafshatë bukë, ata e mbysin stupc. Çka me ba. S’di çka them më shumë, na ka myt, na ka myt. Duhet me përballu, insani po i përballojka të gjitha”, deklaroi Rrahim Fejzullahu.

Sipas informatave zyrtare që ka bërë Prokuroria Themelore e Prishtinës, pas një përleshje fizike, dy të dyshuar që janë të mitur e kanë goditur me një shkop viktimën duke i shkaktuar lëndime për vdekje.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tetnativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.” – kanë bërë të ditur nga Prokuroria.

Dy të dyshuarve i është caktuar masa e paraburgimit

“Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit.” – ka njoftuar prokuroria.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ka incuar rastin si vrasje e rëndë.

“VRASJE E RËNDË Rr. Drenica, Podujevë 14.01.2024-13:00. Lidhur me rastin, me 20.01.2024 viktima mashkull kosovar i cili ka qenë duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke hetuar.” – thuhet në raportin e PK-së.