Në Viti janë ndihmuar me pako ushqimore e higjienike mbi 2500 familje

Prej paraqitjes së virusit COVID-19, më 13 mars 2020, Komuna e Vitisë, përveç faktorit shëndetësor dhe atij të sigurisë, rëndësi të veçantë i ka kushtuar edhe komponentës sociale.

Sipas kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, gjendja materiale është rënduar për një kategori të caktuar të qytetarëve.

Ai tha se lista e familjeve në nevojë, në kohën e pandemisë, është zgjeruar, për shkak se shumica dërmuese e bizneseve nuk kanë punuar.

Kryetari Haliti ka bërë të ditur se deri më tani, në tri faza, Komuna e Vitisë për mbi 2500 familjeve ka dhënë mbi 4000 pako ushqimore dhe higjienike me artikuj bazik, si dhe miell, patate e bukë, të siguruara nga donatorë të ndryshëm, shoqata, biznese dhe individë.

Harmonizimi i listave dhe shpërndarja është bërë përmes këshillave të fshatrave, të mbështetura edhe nga Kryqi i Kuq dhe Shoqata “Nëna Terezë”.

Për këtë Haliti ka falënderuar dhuruesit dhe të gjithë që kanë kontribuar.

Ai ka njoftuar se në fazën e katërt do të shpërndahen edhe 1500 pako tjera ushqimore e higjienike si dhe miell, të siguruara nga buxheti komunal.

Haliti tha se Vitia, përmes Komitetit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Qendrës Operative do të vazhdojë angazhimin dhe koordinimin për t`u mbrojtur nga pandemia./mediafokus.info