Në Viti u certifikuan 66 gra për përgatitjen e ushqimit tradicional…

Sot në Viti u bë çertifkimi i 66 grave, të cilët kanë ndjekur trajnimet në fushën e përgatitjes së ushqimit tradicional, përpunimit të pemëve dhe perimeve, përpunimit të qumështit dhe të ëmbëlsirave.

Gjithashtu, është bërë edhe përurimi i biznesit “ Arona” në fshatin Gjylekar të Vitisë, i cili merret me përgatitjen e ëmbëlsirave. Ky biznes do të menaxhohet nga Bukurije Berisha, e cila edhe ka përfituar pajisje për pune por edhe trajnime profesionale.

Të dyja këto aktivitete janë realizuar në kuadër të projektit “Përkrahja e grave dhe vajzave drejtë fuqizimit ekonomik përmes vetëpunësimit dhe ngritjes së kapaciteteve profesionale”, projekt ky që është pjesë e Programit Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës ( IADK) në partneritet me Komunën e Vitisë.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë këtyre aktiviteteve ka folur në veçanti për rëndësinë që ka pasur ky projekt për komunën e Vitisë.

“Ky projekt ka pasur një rëndësi të veçantë për komunën e Vitisë, pasi që me të ne kemi ndihmuar qytetarët vitias në veçanti gratë që të hapin bizneset e tyre dhe të gjenerojnë të ardhura. Për këtë dua të falënderoj të gjithë që kanë bashkëpunuar në këtë drejtim dhe sot dua të urojë jo vetëm znj. Bukurije Berisha e cila ka hapur biznesin e saj por edhe të gjithë gratë të cilët kanë ndjekur dhe përfunduar me sukseset trajnimet”, citohet të ketë thënë Haliti në komunikatën e kësaj komune, transmeton Mediafokus.info.

Ai potencoi se ndonëse Komuna e Vitisë, e ka pasur të kufizuar dhe të pamjaftueshëm buxhetin në bashkëpunim me partnerët e shumtë ata e kanë shumëfishuar atë.

Ndërkaq, Zenel Bunjaku drejtor ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), u shpreh falënderues ndaj Komunës së Vitisë dhe kryetarin Haliti për bashkëpunimin e mirë duke potencuar se shpreson se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.

Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe Fjolla Raifi nga UNDP, e cila theksoi edhe bashkëpunimin e mirë që kanë pasur me këtë komunë dhe foli mbi të arriturat e këtij projekti në komunën e Vitisë. Përndryshe në aktivitetet e ditës së sotme ka marrë pjesë edhe Arlinda Sahiti, Drejtoresh për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Viti./MediaFokus/