Nëna e Astrit Deharit: Dardan Molliqaj më ka ardhë i pari në shtëpi dhe më ka thënë se është vetëvrasje
Xhemile Dehari, nëna e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka folur sonte për rastin e të birit, ku ka deklaruar se Dardan Molliqaj ka qenë personi i parë që e ka vizituar në shtëpi dhe i ka thënë se Astriti është vetëvrarë
Ajo tha se ish-sekretari i VV-së ka qenë mik i Astrit Dehari teksa ka pyetur se pse Molliqaj tash nuk po e thotë të njëjtën gjë.
“Dardani ka qenë shok i Astritit. Dardani është i pari që më ka ardhë në shtëpi e më ka thënë se është vetëvrasje për Astritin. Edhe pse po thotë tash që nuk është vetëvrasje, më ka thënë vetëvrasje. Disa javë para se me dalë prej VV, më ka ardhë në shtëpi e më ka thënë, ‘Teta Xhemile, të kom thanë se qështu kom ndi’. Vet e ka pranu që ka thanë vetëvrasje. Edhe një gjë du me ja përmend Dardanit. E di shumë mirë edhe rastin e Arbnorit kur është vrarë, gruaja e Arbnorit, hala unë pa mbërri mirë, hala pa e largu trupin e Arbnorit, i ka thënë ‘kjo ka ndodhë prej juve’. E di Dardani”, tha ajo në Rubikon.
Tutje, Dehari tha se po kritikohet ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu se po përzihet në punët e drejtësisë. Mirëpo, ajo shton se për humbjen e mostrave të gjakut të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, një drejtor dha dorëheqje. Kurse, sipas saj, për vdekjen e Astritit në burg, askush nuk ka dhënë dorëheqje.

