Nëse shtyhet mësimi prapë, do të ketë probleme me zëvendësimin e orëve
Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor dhe nuk dihet ende nëse do të ketë një shtyrje tjetër ose jo, shkaku i pandemisë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj ka thënë se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor.
Sipas Jasharajt, mësimdhënësit dhe stafi teknik i shkollave janë vaksinuar dhe janë të kënaqur për faktin që të gjithë punëtorët e arsimit i janë përgjigjur kërkesës së tyre për vaksinim.
“Nga deklarimet e kryetarëve të nivelit komunal sindikal shihet se janë vaksinuar më shumë se 90% e mësimdhënëseve dhe punëtorëve tekniko-ndihmës e administrativ. Jemi të sigurt se deri më 27 shtator do t’i afrohemi shifrës prej gati 100%”, tha Jasharaj për Telegrafin.
E në kuadër të kësaj i pari i SBASHK-ut thotë se nuk duhet të ketë shtyrje të tjera të mësimit për shkak të problemeve qe mund të paraqiten me zëvendësimin e orëve mësimore.
Mirëpo edhe nëse institucionet gjegjëse vendosin që të ketë sërish shtyrje për fillimin e vitit të ri shkollor, Jasharaj tregoi se kanë sugjeruar që mësimdhënësit të shkojnë në shkolla dhe të kyçen në platformat përkatëse për shkak të korrektësisë.
Fillimin e i vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit e ka shtyrë dy herë që nga 1 shtatori për arsye të situatës së rënduar me Covid-19.