Nesër funksionalizohet e-testimi për patentë-shofer në 6 qendra të Kosovës

Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar se zëvendësministri Hysen Durmishi do të mbajë nesër konferencë për media, ku do të njoftojë për funksionalizimin e e-testimit-pjesa teorike në gjithë gjitha qendrat e patentë-shoferëve në Kosovë.

“Projekti ka filluar së implementuari në njësinë në Prishtinë, tani jemi në fazën finale që ta jetësojmë në gjitha njësitë për patentë-shofer në Republikën e Kosovës (Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Mitrovicë) dhe jemi në rrugë të mbarë për të funksionalizuar në tërësi projektin “e-testimi”.

Realizimi i këtij projekti është reformë shumë e rëndësishme për vendin, ku përmes këtij aplikacioni do të rritet cilësia e testimit të kandidatëve për patentë-shofer në pjesën teorike, efikasiteti në testim, transparenca gjatë testimit, digjitalizimi i sistemit etj”, thuhet në njoftim.

Konferenca do të organizohet duke filluar nga ora 10.30, në objektin e Stacionit të autobusëve në Prishtinë-qendra e patentë-shoferëve në Prishtinë.