Netët e Ramazanit (veçmas) në Balec – ngjarje më vete…
Netët e muajve të shenjtë të Ramazanit, si në tërë qytetin, e veçmas në Lagjen e Balecit, e kishin një karakteristikë tejet specifike dhe iu gëzoheshim sa edhe shumë e shumë kremteve tjera shtetërore, apo këso intime fetare.
Më fakt, deri në vitet e vona të çerekut të tretë të shekullit paraprak, çdo shtëpi në qytet, varësisht nga vendi dhe pozita që kishte, mes mureve të fqinjëve, pa përjashtim kishin “arkapia” (kapixhikë, apo deriçka) deri te komishinjtë e parë, e të cilat rrinin pa dryna, ndërkaq që në Ramazan, edhe dyert e mëdha hyrëse të shtëpive, rrinin hapur, kështuqë, “territori” i “veprimit” i ne fëmijëve dhe të rinjve, në ato lojërat e Ramazanit “Kaçaxhik”, apo “Ku kam fsheh”, i “shtrinim edhe tej lagjes së Balecit, kështuqë ndodhte të na zinte Syfyri, vetëm me një turr të akëcilës lojë; një grup fshehej, e grupi tjetër ta gjente atë se nga po fshehej.
Gjatë muajit të Ramazanit, zhvillohej edhe njëfarë “lufte për “shkeljen e Mahallëve”, që konsistonte në faktin që as ditën, e veçmas natës, të mos guxonte ndonnj[ë moshatar i joni që vetëm të shkonte as për nevoja të akraballëkit në Lagjen tjetër, pa ndonjë prind apo person më të vjetër, ndryshe “llogaritej” se “ta shkela “ (“okupova”) mahallëm”!. Kjo ishte njëra ndër “parimet kryesore” të Ramazanit në qytet.
Andaj, natën deri në Syfyr, e tërë lagja kishte roje të caktuara, që sogjetonin gjatë tërë kohës që ndonjë individ, apo edhe grup, apo e tërë lagja, të mos na zinin në “gjumë”, por sakaq të sinjalizojnë se “armiku” është afër dhe se po “kaniset” për “shkeljen e territorit” tonë.
Madje, jo vetëm në “mbrojtje”, por ndërmerreshin fshehurazi edhe “ekspedita” e “operacione” “hexhemoniste” të tërë lagjës, ”armatosur”, me dofarë “bahe”, harçe e shigjeta (që i bënim vetë, ndërkaq që Hajdar “Kalanica”, që i ndihmonte babait në mjeshtrinë e “Teneçexhiut”, nga ato pjesët e mbetura të llamarinës, na i bënte do maja për shigjeta, e që nga afërsia vërtetë edhe mund të të shponin), shkopinjësh e zinxhirësh të metalta, duke u nisur haptazi drejt lagjeve gjegjëse.
Zakonisht, “Dere Mahallën” e “shkelnim” kur të donim se ishin me “luftëtarë” më të paktë dhe jo edhe aq “trima”, ndërkaq, betejat më të ashpëra “që i mba mend historia”, bëheshin midis Balecit dhe “Karadak” mahallës, që ishim “armiq të përbetuar” dhe asnjëherë, ndonëse kishim dhe kishin provuar na e edhe ata që t’ia “shkelnim Mahallën” njëri-tjetrit, asnjëherë kësaj nuk ia dilnim, as njëra as tjetra.
Ata, zakonisht, tashti ku gjendet Staiumi i qytetit, vinin deri diku, dhe ne e kalonim Dobrushën dhe i pritnim, dhe që nga larg, nuk pranin gjuajtjet me gurë, shumicën e rasteve, me ato farë bahet, që edhe gjuanin edhe larg edhe shpejt e edhe fuqishëm, andej e këtej.
Zaten Ramazanëm-Ramazan, Shkolla e Mesme Ekonimike, nga ana e pjesës jugore (pjesa e Baleccit), i riparonin të gjitha dritaret sepse ndonëse nuk i kishim cak ato, “rrëshqitnin” bahet dhe me gurë t’i goditnin dritaret e SHME.
Fundja, poqese ishte nata me hënë: të ndikuar pak edhe nga filmat “e luftërave”, që i shihnim në kinema, tuboheshim midis livadheve të Agushagallarëve dhe një pjesë të Pllanalive, Baleci në njërën anë e Karadaku në anën tjetër, dhe e zgjidhnim nga një “luftar” nga secila palë e mjedis “megdanit”, që fer të rrahen njëri me tjetrin, dhe cili e mundte tjetrin, ajo lagje për atë natë ishte “ngadhënjimtare”.
Me Balecin, zakonisht bëhej edhe Kena “Karakasi”, si përfaqësues yni e në anën e tyre i dilte në mejdan njëfarë “Pança” i Malishevëve dhe përherë dilte fitues Skënder Haziri (Karakasi), dhe me kaq përfundonte për atë natë “beteja”.
Të nesërmen, e shihnim njëri-tjetrin të “arrnuar” me fasho e arrna, akëcilin që andej e këndej, e kishim goditur, kend më shumë e kend më pak me ata gurë e ne edhe me ato shigjetat me maje “llamarine”.
Në një rast, u tubuam e tërë lagjja dhe u nisëm ta shkelim “Dere-Mahallën”, mirëpo, sapo dolëm në qendër të qytetit, ashtu “të armatosur”, si na panë milicionerët, na përzunë e na kthyen mbrapshtë.
Ne, në të kthyer, me propozimin e ndonjë kryesori, që zakonisht ishin Ekrem “Kola”, apo Iljaz “Sllavki”, aty tek ish-mishtorja e Shahiqëve, në atë sokakun e Svillanoviqëve, ku një serb e kishte punëtorinë e enëve të ndryshme prej dheut, që i piçte në një furrë të posaçme: kalanica, tava, vegësha, kënata të madhësive të ndryshme, e pjekurina nga dheu të tjera, e që iu kishin pëlcitë gjatë “pjekjes”, i bënte kamare aty, si mbeturina dhe në ditën e caktuar, mbase i merrte ndonjë mjet i ndonjë ndërmarrjeje komunale – që ta marrim secili nga një pjesë “gërnaçi” dhe ta mbanim në dorë.
Kur arritëm te një “Gjanllëk”, midis portës së Shahiqëve, Gjura-shoferit dhe Ali-Çollakut, “me urdhër”, u ndalëm, e ora tashmë kishte vajtur nga 23-shja: “Ali Çollaku (që zaten ishte njëfarë “problemi”, ndonëse në njërën nga duart, i “mugonte” fare llëra), sapo është martuar këto ditë e tashmë me siguri është në shtrat me të shoqen, andaj, rreshtohuni këtu para derës së tij të sokakut…!” u rreshtuam, disa më poshtë e disa më lartë, varësisht nga mosha e rrita: “Në urdhërim tim – “Tash!!!”, ju të gjithë përnjëherë ta goditni portën e Shtëpisë së Aliut!”
Si u tha, edhe u bë, në komandën e “Kolës” me tërë forcën po i gjuajmë ata “gërneçët” që i kishim secili në duar.
Porta nga dërrazat e ahut të thatë, ato pjesët firo të dheut të enëve të pjekura – ndodhi një detonim i tillë, që krisma e të cilit, me siguri ka jehuar në tërë qytetin…!
Ikëm një pjesë të madhe të rrugës drejt Xhamisë dhe dikur u ndalëm: “Hajt, more, Alia, tashmë më qejfin e vet, as do të lëvizë nga vendi, mirëpo pas disa minutave, që nga larg e shohim Aliun në këmishë e brekë të gjata, të bardha, në dorën e “shëndoshë” një shkop aq të gjatë, të na është turrë sokakut.
Shumica hynë në dyert e Velekincëve e Hutoviqe, ndërsa unë, Musa Deda – “Dadushi” e Hajrulla “Lagadangi”, po vazhdojmë të ikim kah shtëpitë tona, mirëpo ai ishe kaq i shpejtë sa thuaja na zuri, e ndërsa Musa u nda të shkojë nga shtëpia e vetë, unë nuk guxova as në shtëpinë time të hyjë, por bashke me “Lagadangin” vazhduam përpjetë sokakut të tyre dhe çuditërisht, kur bënim gara ndonjëherë në vrapim, ai na i merrte të parën, unë nga droja e ai nga frika, dola para tij dhe po vazhdoja të ik në drejtim të Varoshit, e Hajrullahun e lëshoi forca dhe e hetova që u zu nga Aliu, dhe unë vazhdova të ik tutje…
Se sa e ka shfry mllefin Aliu në “Lagadangin”, ai do ta dijë vetë më së mirë, ndërkaq, pas nja një ore, pasi u sigurova që tashmë më nuk po më ndiqte kush, u ktheva në shtëpi, ku po më priste Baba i gjindosur, sepse Aliu i kishte trokit në derë dhe i kishte tregua se çfarë i kishim bërë dhe se edhe unë isha pjesëmarrës në atë “aksion” dhe ta “hangra” një çytek për ta mbajtur në mend.
Të nesërmën dhe disa ditë rresht, kush guxonte të kalonte sokakut për në qytet por na duhej të silleshim nga ana e Varoshit, sepse dronim që Aliu, do na hakmerrej për atë “proçkë” që ia bëmë, mirëpo, edhe ai ishte i Balecit dhe i kuptonte këto “veprime edhe të pamatura”, dhe na “kishte çue fjalë”: “Lirisht e keni të kapërceni e edhe të takoheni me mua, se atë natë kend ta kisha zënë, kisha la lesh në të, ndërkaq që merak më ka mbet që t’i zë: Kolën, Sllavkin, Emërllahin e do “kryesorë”, po tashti, falë ju qoftë”!
Kur është fjala tek “Shkelja e Mahallës”, lagjet çmos bënin dhe mendonin si t’ia bëjnë e disi, qoftë edhe me persona pakashumë të maskuar të na i “okuponin” lagjen.
Në një rast, ndërsa që të gjithë po gjeneshim në mëhallën tonë, rrugës po kalon një plakë me ato “hiramat” e zi e thuaja e mbuluar deri tek sytë, siç i bartnin atëbotë shumica e grave dofarë Tërllika”.
Nejse, nga edukata, gratë as i shikonim, mirëpo, sekujtë i kishte vajtur sysh se e ecura e asaj plake, ishte disi e ngathtë, dhe ndonjëri pak më pa “yndyrë”, e ndalë, dhe tashti ajo plaka përmes mahallës, nisë disi të vrapojë, por pengohet në atë farë “tërlliku”, dhe e zënë shpejtë: kur çfarë të shohin, një Adem “Godeni” i Malishevëve të Karadak Mahallës, ishte maskuar si femër dhe po mëtonte ta “shkelte Balecin”.
Ta marrin e ta lidhin për shtyllën elektrike karshi xhamisë së Balecit dhe i lidhur ka mbetë deri në Syfyr, kur ka kaluar ndonjë i rritur, që shkonin e rrinin zakonisht tek njëri tjetri, e që e kishte zgjidhur dhe ai livadheve kah Shkolla Ekonomike, ishte kthyer në Mahallën e vet, i rrahur e i llangosur…
Kur po i rikujtoj të gjitha këto hollësi, që ndokend edhe do ta mërzisin, po mendoj: O zot sa më të lumtur, më të shëndoshë, më të shkathtë e më të zhdërvjelltë ishim ne dikur me këso lojëra kaq të theshta, po dosido shoqërorizueshëm se sa brezi i njëjtë i sotëm me këto Iphona, Motoçikleta e çfarë jo…?
U mbyllën “arkapijat”, u tjetërsuan edhe shoqëritë si dhe bashkësitë lagjore, dhe nuk i mbeti lezeti më asgjëje…! /Hasan Bunjaku/
(Autori ka ndërruar jetë para gati një viti. Shkrimi ri-botohet në nderim të tij)

