Neurologët në ShSKUK po punojnë nga 30 orë – ku janë duartrokitjet?

Në të kaluaren qytetarët kosovarë shfaqnin kritika të ashpra për personelin shëndetësor, ndërkohë që në këtë kohë krize, kur vendi ynë po përballet me pandeminë e coronavirusit, krejt sytë i kanë kthyer tek mantelbardhët.

Personeli shëndetësor i Klinikës së Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), po punojnë me angazhim të jashtëzakonshëm – me mbi 30 orë punë pandërprerë.

Neurologu i njohur kosovar, njëherësh asistent-profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Adnan Biqkaj, tregon për Mediafokus.info se si është të punohet me orar të tejzgjatur.

“Dje kam qenë kujdestar 24 orë, siç është organizuar puna në Klinikën e Neurologjisë. Ndërsa sot, kam vazhduar punën edhe për 8 orë të tjera. Po e bëjmë punën sikurse edhe herave të tjera, por me orar të tejzgjatur. Ky është profesioni ynë”, thotë Biqkaj, për Mediafokus.info.

Pavarësisht orarit të zgjatur, ai thotë se po punohet me mungesë të mjeteve mbrojtëse konformë situatës, për të shtuar se kjo e vështirëson punën.

“Tani situata ka ndryshuar për shkak të epidemisë së coronavirusit dhe duhet kujdes i madh për të  mbrojtur vetën, familjen dhe gjithe qytetarët nga përhapja e virusit të ri, për të cilin shumë gjëra akoma janë të paqarta. Prandaj, shikuar në këtë aspekt, puna këto ditë është me një presion më të madhe dhe kërkon shumë vigjilencë. Në Kliniken e Neurologjisë për momentin po mundohemi t’i trajtojmë vetëm rastet urgjente neurologjike, për të kufizuar mundësinë e përhapjes së virusit”, thotë dr. Adan Biqkaj.

Mirëpo, por neurologun e njohur është e pakapshme kjo lëvizje e madhe e njerëzve në vendin tonë, duke shfaqur brengën se situata mund të përkeqësohet nëse nuk ndalohet kjo.

“Tani do të presim si do të zhvillohet situata epidemiologjike dhe t’i përshtatemi asaj. Dhashtë Zoti të shpëtojmë lehtë, e kjo shumë varet nga qytetarët dhe organet tjera të shtetit, pasi që lëvizja e qytetareve duhet të jetë minimale. Sot, në Prishtinë, kam parë lëvizje të dukshme të qytetateve që më bënë të frikësohem se nuk do të kemi situatë të mirë epidemiologjike, e cila mund të rritet deri në nivelin sa të ngulfat sistemin shëndetësor, edhe ashtu të brishtë”, thekson neurologu Adnan Biqkaj, për Mediafokus.info.

Në këtë kohë krize epidemiologjike, neurologu kosovar thotë se ka vullnet të jashtëzakoshëm të mantelbardhëve, anipse po punojnë në kushte të rënda pune.

“Unë po shohë vullnet të madh të mantelbardhëve që të kontribuojnë maksimalisht në këtë situatë. Mendoj që mantelbardhët janë kategoria më e rrezikuar ose vija e parë në luften kundër virusit COVID 19 dhe duhet të respektohen. Mirëpo, kjo lufte duhet të bëhet bashkë, me besim e mirëkuptim dhe krahë për krahë me organet e rendit, instituticionet e tjera, vullnetarët dhe të gjithë qytetarët”, ka deklaruar dr. Adnan Biqkaj, neurologj dhe asistent profesor në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.

Ndryshe, qytetarët kosovarë morën iniciativë që në ora 21:00 t’i duartrokasin heronjve të sotëm, personelit shëndetësor, të cilët po bëjnë përpjekje titanike në shërbim të qytetarëve për përballimin e situatës se coronavirusit./Mediafokus.info/