Nevruzi ishte botë në vete, që jo gjithmonë e kuptuan sa duhet bashkëqytetarët e tij
(Edhe pse personazhet e thjeshta nuk i çmojmë shumë, ata lënë ndonjëherë gjurmët e tyre në qytetin ku kanë jetuar, siç ishte edhe Malushi ynë).
Nevruz Shabani, i njohur në Gjilan me emrin Malushi, ka qenë një nga personazhet më karakteristike të këtij qyteti, shkruan Mediafokus.info
Malushi ishte një njeri i thjeshtë, që bënte jetë rruge, por shumë dashamirës me qytetarët që e shihnin çdo ditë dhe, herë e mëshironin me ndonjë cent e herë i kërkonin falje që nuk kishin.
Malushi ishte botë në vete, por jo gjithmonë e kuptuan sa duhet bashkëqytetarët e tij.
Me këtë emër, Nevruzin, mbase mund ta njoh vetëm ndonjë i rrallë në Gjilan, sepse ai njihej këtu nga të gjithë si Malushi dhe kështu e njihte edhe ai veten e tij.
Malushi ka frymëzuar kronistë, poetë e shkrimtarë.
Nuk ishte lypsar. Donte nga bashkëqytetarët e tij ta mirëkuptonin kur u kërkonte ndonjë lek sa për në kafe, ose një cigare.
Nga ata që i njihte, jo nga të tjerë. Nuk ishte as bezdisës. Ishte një bohem i nivelit të vetë.
Refuzonte të merrte më shumë se kaq, ani pse nuk kishte asgjë të tijën.
Donte që të tjerët ta kuptonin se ishte botë në vete, unik dhe i papërsëritshëm.
Nevruzi ishte një karakter i veçantë, dinte të ngrysej e të qeshte, varësisht prej situatave, ishte një personazh që rrëfehej përmes “linjave” të fytyrës dhe si i tillë, po i mungon Gjilanit prej shumë vitesh./Mediafokus.info

