Nga nesër, vula apostile dhe vula verifikuese lëshohen edhe në Gjilan

Ministria e Punëve të Brendshme, respektivisht Agjencia e Regjistrimit Civil, do të fillojë lëshimin e vulës apostile dhe vulës verifikuese edhe në Komunën e Gjilanit, raporton Mediafokus.info.

Sipas njoftimit, lëshimi i këtyre vulave do të fillojë nga nesër, në ora 11:00, në Qendrën për Pajisje me Dokumente/Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve.

“Lëshimi do të bëhet më datën 11.11.2020, ditën e mërkurë, nga ora 11:00, në Qendrën për Pajisje me Dokumente/Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Gjilanit.

Për shkak të Pandemisë COVID-19 dhe situatës së raportuar për gjendjen e rënduar me “Koronavirus” ditëve të fundit në Komunën e Gjilanit, ju njoftojmë se nuk do të ketë ceremoni zyrtare të organizuar nga Agjencia e Regjistrimit Civil/Ministria e Punëve të Brendshme.

Megjithatë, ju bëjmë thirrje, për shkak të përhapjes së Pandemisë, të kemi kujdes të shtuar dhe t’iu përmbahemi njëkohësisht së bashku këshillave të institucioneve shëndetësore.”, thuhet në njoftimin e ministrisë.