Nga testimet e fundit nuk rezultojnë të infektuar tjerë me koronavirus në Topanicë

Komuna e Kamenicës po vazhdon ta mbajë nën kontroll gjendjen në Topanicë, ku deri më tani kanë rezultuar të infektuar me koronavirus 12 persona,

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se 34 persona nga kjo komunë të testuar për koronavirus kanë dalë negativë.

Në mesin e të testuarve ishin edhe 12 punëtorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kamenicë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kastrati ka thënë se kujdesi duhet të vazhdojë njëjtë duke qëndruar në shtëpi pasi që kjo sëmundje është e panjohur dhe mund të prek secilin.

“12 punëtorë shëndetësor nga QKMF në Kamenicë si dhe 22 banorë të fshatit Topanicë, të cilët u testuan, fatmirësisht rezultuan negativ për virusin SARS-CoV-2”, ka shkruar Kastrati.

Personi i parë i infektuar me koronavirus në këtë fshat kishte një histori udhëtimi në Zvicër e Gjermani, ndërkaq të tjerat janë persona të kontaktit me të./mediafokus.info